Lufta në Ukrainë, Oketa: Rusia ka humbur në të gjitha drejtimet, tani po përdor strategjinë e terrorit
Ish-Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, është shprehur se nëse Rusia do të kishte një lider të përgjegjshëm që nuk do kishte ambicie personale, konflikti me Ukrainën do të shmangej.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, Oketa tha se Rusia tashmë është e humbur në të gjitha drejtimet.
Gazmend Oketa: Nëse Rusia do të ishte nën drejtimin e një pushtetari më të përgjegjshme, i cili nuk do të vinte egon e tij personale, apo ambiciet për t’u quajtur një car i madh i Rusisë, atëherë konflikti do të ishte shmangur dhe në asnjë rrethanë nuk do të kishte përfunduar në një konflikt të armatosur. Deri në momentet që flasim, ka humbur në të gjitha drejtimet, ka humbur reputacionin ndërkombëtarë. Këtë e dëshmon votimi i rezolutës dje.
Ndër të tjera ai tha se Rusia nuk po e ndërton luftën mbi bazën e parimeve ushtarake, ndërsa shtoi se duhet të vendoset armëpushim dhe të ndalet gjakderdhja. Sipas tij ky hap duhet marrë nga Rusia e cila ishte e para që nisi luftën.
Gazmend Oketa: Rusia nuk po e ndërton edhe këtë luftë mbi parime ushtarake, mbi normat ndërkombëtare. Duket se për shkak të mosrealizimit të objektivave të saj brenda dy ose tre ditëve, siç kishte parashikuar qeverinë e Kievit, tashmë po përdor strategjinë e terrorit. Një tragjedi të tillë përdorte ISIS-së.
Një popull kur e ndërton luftën e tij mbi principe, mbi të drejtën për të qenë i lirë dhe i vendosur, mund t’I bëjë ballë çdo agresioni. Do të ishte mirë që kjo gjakderdhje të ndalonte menjëherë. Ky armëpushim duhet të vijë nga pala ruse sepse ajo është pala që ka shkelur të gjitha parimet dhe ligjet ndërkombëtare, ka hyrë brutalisht në një shtet Sovran.
Përgatiti Anila Kolgjini.
