Lavrov optimist: Besoj se do të biem dakord me palën ukrainase, Perëndimi na kupton por s'do ta bëjë

Ministri i Jashtëm rus ka folur për situatën në Ukrainë, ku argumentoi se do të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve dhe shtoi se histeria për Ukrainën do të marrë fund dhe se dialogu mes Moskës dhe perëndimit do të rifillojë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka folur për mediet ruse dhe ndërkombëtare lidhur me situatën e tensionuar në Ukrainë.

Kryediplomati kishte shpresë se negociatat me palën ukrainase do të ishin efektive.

Lavrov: Kam besim se do të gjendet një zgjidhje për krizën në Ukrainë. Kërkesat tona janë minimale, por ne nuk mund të lejojmë Kievin që të përbëjë një kërcënim për sigurinë e vendit tonë.

Lavrov tha se ishte i bindur se po përgatiten planet për një luftë kundër Rusisë.

Lavrov: Biseda për luftën bërthamore është duke u zhvilluar tani. Unë ju kërkoj të shikoni me shumë kujdes deklaratat dhe personazhet që i kanë bërë këto deklarata. Së pari kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe pas tij z. Zelenski deklaroi se Ukraina do të hiqte dorë nga statusi neutral i armëve bërthamore. Vini re faktin se një luftë bërthamore po zhvillohet vazhdimisht në kokat e politikanëve perëndimorë dhe jo në ato të rusëve.

Megjithatë diplomati beson se do të gjendet një zgjidhje mes Perëndimit dhe Rusisë.

Lavrov: Besoj se histeria rreth Ukrainës në Perëndim do të përfundojë dhe se dialogu mes Moskës dhe NATO-s do të rifillojë, Kremlini është gati për këtë.

Ministri tha më tej se bota e dëgjon Rusinë, por është e vështirë të thuhet nëse po e dëgjon në mënyrën e duhur.

Ai shprehu bindjen se shumica e kupton atë që Federata Ruse do që të thotë, por është e detyruar të respektojë diktatet e ashpra.

Ndërkohë delegacioni rus ka njoftuar se negociatat me palen ukrainase mund të fillojnë në orën 15:00 (13:00 me orën tonë). Ato do zhvillohen në Brest, kufiri Bjellorusi-Poloni.