"Kina kërkoi Putinit ta shtynte pushtimin e Ukrainës pas lojrave Olimpike, raportojnë shërbimet e Inteligjencës amerikane

Kina i kishte kërkuar Rusisë të priste deri pas lojrave Olimpike për të nisur pushtimin e Ukrainës, raporton New York Times duke cituar shërbimet inteligjente amerikane.

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me presidentin kinez Xi Jinping më 4 shkurt pak para ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike. Të dy shtetet dolën me një deklaratë të përbashkët që tregonte mbështetjen kineze për Rusinë dhe denonconte zgjerimin e NATO-s.

Ceremonia e mbylljes së Lojërave Olimpike u mbajt më 20 shkurt, me Putinin që nisi pushtimin rus të Ukrainës një ditë më pas.

Por kjo u kundërshtua nga zëdhënësi i ambasadës kineze, Liu Pengyu, i cili e quajti raportin "spekulim pa asnjë bazë" dhe argumentoi se ishte një përpjekje për të "fajësuar dhe njollosur Kinën" shkruan New York Times.

Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin mori vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe urdhëroi vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e dënoi fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.

Në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022 Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë.  Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.