OKB: Në Ukrainë janë vrarë 227 civilë dhe 525 janë plagosur, numri dyshohet më i lartë

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut konfirmoi sot se 227 civilë janë vrarë dhe 525 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i konfliktit deri në mesnatën e 1 marsit.

Ndërkohë që besohet se ky numri në të vërtetë është dukshëm më i lartë, raportoi Reuters.

"Shumica e këtyre viktimave u shkaktuan nga përdorimi i armëve shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave, dhe sulmet ajrore," – tha OKB në një deklaratë të lëshuar në Gjenevë një javë pas fillimit të pushtimit rus.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se besonte se numri i vërtetë është dukshëm më i lartë, veçanërisht në territorin e kontrolluar nga qeveria në ditët e fundit.

OKB tha se një gjë e tillë ndodh për shkak të vonesave të raportimit në disa zona ku janë zhvilluar armiqësi intensive.