Gjermania i sekuestron oligarkut rus jahtin megaluksoz, 600 milionë dollarësh
Gjermania sekuestron jahtin luksoz të miliarderit rus Alisher Usmanov, pas sanksioneve të vendosura nga BE raporton gazetari i Forbes, Giacomo Tognini.
Miliarderi rus Alisher Usmanov është në listën e oligarkëve rusë ndaj të cilëve u vendosën sanksione nga Bashkimi Evropian të hënën. Dy ditë më pas, Forbes ka mësuar nga tre burime në industrinë e jahteve se një nga pasuritë e tij të çmuara - jahti 156 metra i gjatë Dilbar, me një vlerë prej 600 milionë dollarësh - është sekuestruar nga autoritetet gjermane në qytetin verior të Hamburgut.
Anija ka qenë në kantieret detare të Hamburgut të firmës gjermane të ndërtimit të anijeve Blohm+Voss që nga fundi i tetorit për një riparim. Burimet që folën për Forbes thanë se qeveria gjermane ngriu asetin dhe se, me gjasë si rezultat, punonjësit e Blohm+Voss që kishin punuar në jaht nuk u paraqitën në punë të mërkurën. Përfaqësuesit e Blohm+Voss dhe Usmanov nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për një koment lidhur me këtë sekuestrim.
Usmanov bleu jahtin Dilbar në vitin 2016 për një kosto të raportuar prej 600 milionë dollarësh nga ndërtuesi gjerman i anijeve Lürssen, i cili për ta ndërtuar iu deshën 52 muaj.
Firma e quajti "një nga jahtet më komplekse dhe sfiduese të ndërtuara ndonjëherë, si për nga dimensionet ashtu edhe për nga teknologjia".
Dilbar drejtohet nga një ekuipazh prej 96 personash. Ka pishinën më të madhe të instaluar ndonjëherë në jaht, dy helikopterë, një sauna, një sallon bukurie dhe një palestër si dhe 12 suita
Jahti është pjesë e pasurisë së vlerësuar miliarda dollarëshe e miliarderit rus Usmanov, e cila përfshin aksione në gjigantin e mineralit të hekurit dhe çelikut Metalloinvest dhe në kompaninë elektronike konsumatore Xiaomi. Gjithashtu ai ka prona në telekom, miniera dhe media. Një nga investitorët më të hershëm në Facebook, së bashku me miliarderin tjetër Yuri Milner, Usmanov zotëron gjithashtu pasuri në prona të paluajtshme në Perëndim, prona në Mbretërinë e Bashkuar dhe shtëpitë luksoze në Mynih, Gjermani; Lozanë, Zvicër; Monako; dhe Sardenja, shkruan Forbes

