Rusia mund të përfundojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, 38 vende kërkojnë hetime për krime lufte, mes tyre Shqipëria

Rusia është referuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) nga 38 vende të ndryshme lidhur me krimet e dyshuara të luftës të kryera gjatë pushtimit të saj në Ukrainë.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në mbrëmje, zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se ka udhëhequr përpjekjet për të bashkuar aleatët, duke përfshirë të 27 anëtarët e BE-së, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Zvicrën, për të raportuar regjimin e Vladimir Putin në gjykatë.

Dominic Raab, zëvendëskryeministri dhe sekretari i drejtësisë i Mbretërisë së Bashkuar, tha në një deklaratë se si një anëtar themelues i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Britania është e gatshme të ofrojë ndihmën e nevojshme teknike për të mbështetur dënimet e suksesshme.

“Çdo lider apo oficer rus që zbaton urdhra që përbëjnë krime lufte duhet të dijë se do të përballet në përfundim në bankën e të akuzuarve të një gjykate dhe përfundimisht në burg”, - shtoi Raab.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha se regjimi i Vladimir Putin ka shënjestruar pa dallim civilët dhe shtoi se Mbretëria e Bashkuar do të punojë ngushtë me aleatët për të siguruar që drejtësia të vihet në vend.

Një gjë të tillë e ka mbështetur edhe ministrja shqiptare e Jashtme, Olta Xhaçka e cila shprehet se është bashkuar me aleatët kundrejt Rusisë.

“Shqipëria bashkon forcat me 37 aleatë dhe partnerë për të referuar situatën në Ukrainë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Rusia duhet të hetohet për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Bota nuk do ta pranojë kurrë agresionin e paligjshëm.”