Rusia do hetohet për krime lufte. Gjykata Ndërkombëtare Penale nis mbledhjen e provave

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ka njoftuar se ka hapur një hetim mbi krimet e mundshme të luftës nga Rusia gjatë pushtimit të saj në Ukrainë.

Karim Khan shkruan se në një "ekzaminim paraprak të situatës në Ukrainë, zyra ime kishte gjetur tashmë një bazë të arsyeshme për të besuar se krimet brenda juridiksionit të Gjykatës ishin kryer dhe kishte identifikuar raste të mundshme që do të ishin të pranueshme". 

Kryeprokurori tha të hënën se ai synonte të kërkonte autorizim nga presidenca e gjykatës për të hapur hetimin, por një referim nga 39 shtete në gjykatë do të thoshte se ai tani synon të nisë hetimin menjëherë.

"Para pak çastesh kam njoftuar Kryesinë e GJNP-së për vendimin tim për të vazhduar menjëherë hetimet aktive për situatën. Puna jonë në mbledhjen e provave tani ka filluar" shkruan ai.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën në mbrëmje, (2 mars 2022) zyra e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se ka udhëhequr përpjekjet për të bashkuar aleatët, duke përfshirë të 27 anëtarët e BE-së, Kanadanë, Zelandën e Re dhe Zvicrën, për të raportuar regjimin e Vladimir Putin në gjykatë.

Makina ushtarake e Putinit po synon civilët pa dallim dhe po shkatërron qytetet anembanë Ukrainës”, tha në deklaratë sekretarja e jashtme e Britanisë Liz Truss.

Çdo lider apo oficer rus që zbaton urdhra që përbëjnë krime lufte duhet të dijë se do të përballet në përfundim në bankën e të akuzuarve të një gjykate dhe përfundimisht në burg”, - tha Dominic Raab, zëvendëskryeministri dhe sekretari i drejtësisë i Mbretërisë së Bashkuar.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut konfirmoi sot se 227 civilë janë vrarë dhe 525 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i konfliktit deri në mesnatën e 1 marsit.

Ndërkohë që besohet se ky numri në të vërtetë është dukshëm më i lartë, raportoi Reuters.

39 shtetet qe referuan ne gjykate 

Republika e Shqipërise, Komonuelthi i Australisë, Republika e Austrisë, Mbretëria e Belgjikës, Republika e Bullgarisë, Kanadaja, Republika e Kolumbisë, Republika e Kosta Rikës, Republika e Kroacisë, Republika e Qipros, Republika Çeke, Mbretëria e Danimarkës, Republika e Estonisë, Republika e Finlandës, Republika e Francës, Gjeorgjia, Republika Federale e Gjermanisë, Republika Greke, Hungaria, Republika e Islandës, Irlanda, Republika e Italisë, Republika e Letonisë, Principata e Lihtenshtajnit, Republika e Lituanisë, Luksemburgu, Republika e Maltës, Zelanda e Re, Mbretëria e Norvegjisë, Mbretëria e Holandës, Republika e Polonisë, Republika e Portugalisë, Rumania, Republika Sllovake, Republika e Sllovenisë, Mbretëria e Spanjës, Mbretëria e Suedisë, Konfederata Zvicerane, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.