Qeveria nuk ndërhyn për rrijen çmimit të karburantit, Ibrahimaj: Situatë kalimtare

Qeveria ende nuk është e bindur për të ndërhyrë në uljen e taksave sa i përket karburanteve. Në një deklaratë për mediet ministrja Delina Ibrahimaj, thekson se shtrenjtimi është bërë për shkak të tregjeve ndërkombëtare. Sipas saj kjo është një situatë kalimtare ndaj dhe nuk do të ndërhyhet në politikat fiskale.

Qeveria duket se është dorëzuar para rritjes së çmimeve që ka përfshirë thuajse çdo sektor.

Argumenti pas të cilit fshihet ministria e Financave dhe Ekonomisë është rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. 

E pyetur në lidhje me kërkesën e Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, të cilët kanë paralajmëruar ndërprerjen e shërbimit nga 1 marsi, ministrja Delina Ibrahimaj sqaroi se nuk mund të ndërhyhet në politika fiskale për shkak të luhatjes së çmimeve.

“Rritja e çmimeve do jetë tranzitore dhe nuk mund të ndërhyet në politika fiskale për shkak të luhatjes së çmimeve. Është për t’u vleresuar, ne presim që këto çmime të jenë kalimtare dhe jo të qëndrueshme," tha ajo.

Në deklaratën për mediet ku u shpreh se ka një rritje me 29 për qind të të ardhurave, ministrja e Financave ka pranuar se institucioni që ajo drejton është duke shqyrtuar një kërkesë për rishikimin e tarifës të koncensionit të pompave të naftës.

“Jemi në rastin ku koncensionari ka bërë një kërkesë, MFE ka ngritur nje grup pune që po vlerëson nëse jemi në kushtet e ndryshimit të tarifave dhe grupi teknik nuk ka dalë ende me një rezultat," tha Ibrahimaj.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Delina Ibrahimaj konfirmoi se çmimet e karburanteve janë në nivelet më të larta historike. Një litër naftë në pikat e karburanteve kap shifrën e 199 lekëve. Rritja ka vijuar edhe për benzinën. Aktualisht, në pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve benzina tregtohet për rreth 195 lekë për litër duke shënuar një shtrenjtim të ngjashëm me naftën.