Tenderi i Eco Tirana me flamur të kuq, abuzim me procedurën për rikonstruksionin e zyrave dhe sheshit "Don Bosko"
Tenderi i Eco Tirana për rikonstruksionin e zyrave dhe sheshit "Don Bosko" me një fond limit prej 67 milionë lekësh i është dhënë kompanisë që ka paraqitur ofertën më të lartë. Kjo procedurë e kompanisë në pronësi të Bashkisë Tiranë është shënuar me flamur të kuq dhe nga Open Data me argumentin se janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesit.
Vazhdon seria e tenderave të Bashkisë Tiranë ku ofertat me çmim më të ulët skualifikohen.
Prokurimi i radhës nga kompania në pronësi të Bashkisë së kryeqytetit, Eco Tirana për “Punime rikonstruksioni të zyrave dhe sheshit Don Bosko”, për të cilën Erion Veliaj parashikon të shpenzojë afro 67 milionë lekë.
Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike për këtë procedure kanë marrë pjesë 4 operatorë dhe është shpallur fituese kompania me ofertën më të lartë.
Bashkimi i operatorëve A.L-ASFALT SHPK & HTM sh.p.k me pronarë Astrit Varakun, Luan Memën dhe Ilir Tabakun ka ofruar 66.2 milionë lekë për të kryer këtë shërbim, pra sa 99% e fondit limit.
Oferta më e ulët ka qenë 54.5 milionë lekë, por është skualifikuar me argumentin se i mungojnë punonjës të mjeteve të rënda. Dy subjektet e tjera janë përjashtuar pasi nuk kanë paraqitur ofertë ekonomike.
Edhe Open Data e ka shënuar këtë tender me simbolin e flamurit të kuq me shënimin skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit.
Për këtë procedurë rezulton të jetë paraqitur një ankesë nga subjekti TRADE-INVEST, i cili kërkoi modifikimin e dokumenteve të tenderit.
Në pretendimin e tij ky subjekt ka deklaruar se autoriteti kontraktor në hartimin e kritereve është treguar diskriminues, haptazi kufizues dhe është përpjekur në tejkalim të ligjit të ulë pjesëmarrjen e operatorëve duke hartuar kritere në mënyrë preferenciale.
Por Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të mos pranojë ankimimin e operatorit pasi ankesa është depozituar pas afatit të parashikuar nga ligji.
