Kryeministri i Britanisë: Trupat britanike nuk do të luftojnë forcat ruse në Ukrainë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha të martën se trupat britanike nuk do të luftojnë forcat ruse në Ukrainë.

Ai shtoi se përforcimet e fundit ushtarake nuk janë asgjë më shumë se masa mbrojtëse.

“Dua të jem i qartë në këtë pikë: ne nuk do të luftojmë forcat ruse në Ukrainë. Ndërsa mbështesim popullin e Ukrainës, ne duhet gjithashtu të forcojmë qëndrueshmërinë tonë të përbashkët për të mbrojtur njerëzit dhe vlerat tona. Këto nuk janë gjë tjetër veçse masa mbrojtëse, të cilat kanë qenë thelbi i NATO-s për më shumë se 70 vjet”, - tha ai.

Duke folur bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministrin estonez, Kaja Kallas pas një vizite në bazën ushtarake Tapa të Estonisë, Johnson vuri në dukje gjithashtu se përforcimet e fundit ishin brenda kufijve të NATO-s.

“Përforcimet tona, si këto përforcime këtu në Tapa, janë brenda kufijve të anëtarëve të NATO-s dhe ato janë thellësisht gjëja e duhur për të bërë”, - tha Johnson.