Video/ Ashpërsohen sulmet në Kiev, ushtria ruse godet me predha antenën e televizionit, 5 të vdekur

Forcat ruse kanë ashpërsuar sulmet në Kiev duke goditur me predha antenën e televizionit ku numërohen të paktën pesë të vdekur. Shpërthime u dëgjuan edhe në një stacion metroje ndërsa nga raketa në zyrat shtetërore në qytetin e Kharkivit numërohen të paktën dhjetë viktima. Ofensiva ruse duket se është përqendruar në kryeqytetin ukrainas drejt të cilit po shkon një autokolonë mjetesh të rënda ushtarake e gjatë 40 kilometra.

Ushtria ruse ka ashpërsuar sulmet në rrethinat e kryeqytetit ukrainas të Kievit ndërkohë që goditje me raketa janë shënuar edhe në qendër të qytetit

Në orët e pasdites mediet vendase publikuan pamjet e sulmit ndaj antenave transmetuese të televizionit ukrainas, ku raportohet për të paktën 5 viktima. Ministria e Jashtme e Ukrainës e cilësoi ngjarjen si një akt barbar të Rusisë.

Re të mëdha tymi u shfaqën pranë kullës së transmetimeve televizive në Kiev, ku goditja solli ndalimin e transmetimit. Sirenat e sulmit ajror ranë një minutë më vonë, duke u kujtuar banorëve të shkonin në strehën më të afërt.

Më herët sot një raketë ruse goditi zyrat qeveritare në qytetin e dytë të Ukrainës, Kharkiv, duke vrarë të paktën 10 vetë.

Mediet ruse njoftuan të martën pasdite se raundi i radhës i diskutimeve për paqe mes dy vendeve do të zhvillohet më 2 mars. Ndërkohë afro 40 kilometra ishte autokolona e mjeteve ushtarake ruse që drejtoheshin për në kryeqytet në orët e para të së martës.

Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi qytetarët e Kievit që të largoheshin pasi do të shkatërronin infrastrukturën e inteligjencës së vendit.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko ka njoftuar se ushtria ruse ndodhet në periferi të kryeqytetit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të luftojnë për të mbrojtur vendin.