7 orë bisedime Rusi-Ukrainë, evidentohen disa pika të përbashkëta. Beteja në Kiev vazhdon

Pas pesë ditë luftimesh Delegacionet nga Kievi dhe Moska kanë zhvilluar diskutime në kufirin Ukrainë-Bjellorusi paraditen e 28 shkurtit, me qëllim gjetjen e një marrëveshjeje për të ndaluar luftimet në Ukrainë.

Takimi mes palëve ka zgjatur më shumë se 7 orë. Edhe pse për mediet janë dhënë shumë pak detaje, palët kanë folur për shpresë në uljen e armëve.

Nga kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky është bërë me dije se janë identifikuar disa pika në të cilat mund të gjendet gjuha e përbashkët.

Pas bisedimeve të para, palët janë tërhequr për të zhvilluar konsultime me drejtuesit më të lartë të vendeve, duke e lënë të hapur rikthimin e bisedimeve një kohë të shkurtër.

Madje raundi i ardhshëm pritet të mbahet  në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë.

Ukraina e cila prej mëngjesit të 24 shkurtit po lufton më forcat ruse, kërkon armëpushim dhe tërheqje nga pala kundërshtare, ndërsa Kremlini këmbëngul në pavarësinë e dy rajoneve, por dhe qëndrimin e Kievit si një shtet neutral pa u bërë pjesë e NATOS.

Pavarësisht ndarjes në këto llogore duket se palët kanë gjetur pika të përbashkëta, të cilat së pari duhet të konfirmohen nga presidenti.

Edhe për zëdhënësin e presidentit Putin, Dimitri Peskov sa më shumë kohë të kalojë aq më shumë njerëz vriten.