Thikë e shtizë në burgun e Fierit, telefonin e gjejnë të fshehur në lavatriçe
Burgu i Fierit është bërë sërish objekt kontrollesh nga forcat operacionale, të cilat kanë gjetur sërish sende të palejuara brenda qelive.
Burimet zyrtare thanë se policia e burgjeve ka kryer një kontroll të befasishëm në godinën B, ku ka gjetur një mjet prerës rreth 15 cm të gjatë si dhe shtizë të përshtatur si mjet shpues.
Kontrolli ka vijuar edhe në godinën e paraburgimit, ku në ambientet e përbashkëta, brenda lavatriçes është gjetur një telefon celular, Nokia.
Karikuesi i këtij telefoni u gjet në po të njëjtën godinë, në ambientet e dusheve.
Menjëherë pas dokumentimit të ngjarjes dosja i ka kaluar prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme ndërkohë që po verifikohen edhe kamerat e sigurisë.
Javët e fundit brenda burgut të Fierit janë kapur edhe sasi droge dhe pajisje që përdoreshin për komunikim me jashtë.



