Abuzimi me lejet e ndërtimit, Ora News identifikon objektet ndaj të cilave mbylli sytë IMT e Sarandës
Pas arrestimit të kryeinspektores Romina Pulaj, dy vartës të saj në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit në Sarandë janë shpallur në kërkim për lejimin e ndërtimeve pa leje. Skandali i dorëzimit të zyrtarëve përballë betonit u faktua me një pallat 7 katësh pa leje, por dyshimet se janë se ata kanë lejuar edhe disa objekte të tjera abuzive.
Ky objekt 7 katësh është dëshmi e dështimit dhe korrupsionit në Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit të Sarandës, pranë Bashkisë Sarandë përballë betonit dhe ndërtimeve pa leje.
Pas arrestimit të kryeinspektores Romina Pulaj, dy funksionarë të tjerë të strukturës nën varësi të kryebashkiakut Adrian Gurma janë shpallur në kërkim për lejimin e ndërtimeve pa leje në qytetin turistike.
Martin Arapi, 30 vjeç dhe Nertion Jano, 26 vjeç dyshohen nga prokuroria për shpërdorim detyre akuzë me të cilën Gjykata e Sarandës ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë "arrest me burg".
Martin Arapi, sipas burimeve ishte në shoqërinë Romina Pulajt, me të cilën kishte një marrëdhënie edhe përtej punës, kur ajo u vu në pranga, por atë ditë u la i lirë.
Ndërsa tashmë, pas arrestimit të shefes, ai dhe kolegu tjetër kanë humbur gjurmët, ndaj janë shpallur në kërkim.
Prokuroria dyshon se dy inspektorët Martin Arapi dhe Nertion Jano në bashkëpunim me kryeinspektoren e IMT Sarandë Romina Pulaj, me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë favorizuar ndërtimet pa leje.
Pallati 7 katësh në hyrje të qytetit, për të cilin në kërkim është shpallur edhe ndërtuesi Pando Papuçi, sipas dosjes nuk është i vetmi ndërtim i abuziv i favorizuar nga zyrtarët e Bashkisë Sarandë.
Prokuroria ka arritur të provojë, se ata kanë lejuar ndërtime dhe shtesa pa leje edhe në disa pallate të tjera në zona të ndryshme të qytetit bregdetar kundrejt ryfshetit apo favoreve të tjera.
Ora News ka arritur të mësojë dy raste të dyshuara të ndërtimeve abusive.
Sipas burimeve bëhet fjalë për ndërtimin e 3 kateve pa leje në një pallat 9 katësh të ndërtuar nga biznesmeni Kolë Noku dhe një denoncim ndaj biznesmenit Lefter Lefteri, i cili rezulton se ka ndërtuar 2 kate pa leje.
Në vazhdimësi banorë dhe biznesmenë në Sarandë kanë denoncuar ndërtimet abuzive në qytetin turistik, por duket se ndërtuesit e tyre kishin gjetur mënyrën për tu mbyllur sytë vartësve të Adrian Gurmës.
