Trafikantët në pranga dhe emigrantët në rrugë, dy operacione në Gjirokastër

Goditen dy raste të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Në pranga kanë rënë 3 shtetas, ndërsa u sekuestruan dy automjete dhe katër aparate celulare.

Operacionin i parë policor i koduar "ROAD GUARD 2" çoi në pranga  shtetasin Çeti. H, banues në Tepelenë.

Ai u kap në flagrancë në aksin rrugor Tepelenë-Krahës, në afërsi të fshatit Qesarat, duke transportuar me automjetin e tij, 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.

Ndërkohë në vijim të operacionit policor "ROAD GUARD", i finalizuar një ditë më parë, gjatë të cilit u vu në pranga një shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër, specialistët e Seksionit për  Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pas një pune intensive hetimore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "GUARD ROAD 3", si rezultat i të cilët u arrestuan në flagrancë shtetasit Mariglen. H, 19 vjeç dhe Egli. B., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Dy të rinjtë u kapën në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, duke transportuar me automjetin e tyre, emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.