Pjerin Ndreu rrit çmimin e rërës, stacionet e plazhit në Shëngjin e Tale 1000 lekë më shumë për metër katror

Bashkia e Lezhës ka njoftuar se këtë sezon turistik biznet që do të marrin në shfrytëzim stacionet e plazhit, do të duhet të paguajnë 1 mijë lekë më shumë për metër katror sesa vitet e kaluara. Bashkia thekson se ky vendim vjen pasi vetë bizneset kanë rritur çmimin e shërbimeve.

Shfytëzimi i hapësirave të plazhit do tu kushtojë më shumë këtë vit bizneseve në Shëngjin dhe Tale.

Përmes një vendimi, Bashkia e Lezhës tha se çmimi i rërës për metër katror do të rritet me 1000 lekë gjatë sezonit.

"Çmimi i stacioneve të plazhit është rritur me 1 mijë lekë. Kur erdhëm e gjëtëm 5-6 mijë, e ulëm. Sivjet e kemi ngritur."

Shkak për këtë vendim sipas kryebashkiakut Pjerin Ndreu është bërë vendimi i bizneseve që veprojnë në bregdet për rritjen e çmimit të shërbimeve.

"Për arsye të përfitimit të rritjes së çmimeve që kanë bërë të gjithë hoteleritë, edhe të shezlongët."

Aplikimi për stacionet e plazhit tanimë ka nisur, por kryebashkiaku i Lezhës tha se bizneset nuk kanë shfaqur interes ndërsa paralajmëroi se për shfytëzimin e hapësirave të plazhit do të ketë zero tolerancë.

"Nuk e di si e keni konceptuar, 5 ditë kohë ka gjithësecili, duhet të aplikojë secili për stacionet e plazhit. S'ka e kam tokën para, hotelin pas. Ne si bashki nuk duam t'ja dimë."

Në bregdetin e Lezhës janë 520 stacione plazhi dhe deri tani kanë aplikuar 64 subjekte, shifër kjo më e ulët krahasuar me vitet e shkuara.

Procesi i aplikimit do të jetë i hapur edhe për pak ditë dhe nëse nuk do të ketë interes nga biznesi vendas, mund të aplikojnë dhe individë të tjerë.