Shtiu me kallashnikov në mesnatë, policia i mësyn banesën dhe e arreston 29-vjeçarin

Të shtëna me armë janë regjistruar mesnatën e dielës në periferi të Kuçovës.

Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit, i identifikuar si F. B., 29 vjeç, banues në lagjen "11 Janari".

Gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri e tipit kallashnikov, një granatë ofensive dhe fishekë luftarakë.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, proceduan penalisht shtetasin K.L., 21 vjeç, banues në lagjen "11 Shkurti", Kuçovë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e llojit Cannabis Sativa dhe disa fishek luftarakë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme.