Bora rrëzoi shtyllat e tensionit, juglindja probleme me energjinë pas stuhisë së dëborës

Bora rrëzoi shtyllat e tensionit, juglindja probleme me energjinë pas

Juglindja po përballet me mungesë te energjisë elektrike. Dhjetëra fshatra në të gjitha bashkitë nuk furnizohen, pasi stuhia e dëborës dhe era e fortë kanë rrëzuar shtyllat e tensionit dhe kanë këputur telat përcjellëse.

Dhjetra fshatra në juglindje vuajnë mungesën e energjisë elektrike prej të paktën dy ditësh pasi stuhia e dëborës ka dëmtuar rrjetin shpërndarës.

Pesha e dëborës dhe era e fortë kanë rrëzuar shtyllat e tensionit të lartë e të mesëm dhe kanë dëmtuar e këputur telat përcjellëse, siç tregojnë pamjet në video.

Dëmtimet më të mëdha janë evidentuar në linjën 35 Kv Korçë-Bilisht, e cila furnizon me energji qytetin e Bilishtit dhe fshatrat përreth saj.

Vetëm në këtë linjë konfirmohet se janë dëmtuar 13 shtylla, ku 6 prej tyre u thyen plotësisht ndërsa 7 të tjera pjesërisht.

OSSH thotë se se ka angazhuar në terren 57 punonjës të saj, të cilët po punojnë në kushte të vështira atmosferike, në një terren moçalor dhe me trashësi bore 30 cm vështirëson ndërhyrjen.

Deri në mesditë, u ngritën 4 prej shtyllave të thyera ndërsa vijon puna dhe për ngritjen e 4 të tjerave, ku dy prej tyre janë shtylla ndërmjetëse.

Ndërsa janë riparuar dhe 3 shtylla që u dëmtuan pjesërisht dhe vijon puna për 4 të tjera.

Ndërkojë ndalimi i reshjeve u ka lënë vend temperaturave të ulëta nën zero çka shkakton vështirësi.

Pavarësisht kësaj, akset nacionale dhe turistike Korçe-Erseke -Leskovik, Korçë-Voskopojë, Ķorçë-Dardhë janë të kalueshme, por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore.