Dita e pestë e pushtimit rus në Ukrainë, sirenat e sulmit ajror bien në shumë qytete
Ukraina ka hyrë në ditën e pestë të pushtimit rus. Sirenat raportohet se bien gjithandej.
Gjatë natës u raportuan disa shpërthime në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet tjera përreth.
Ushtria ukrainase tha se trupat e saj arritën të zmbrapsin disa sulme të ushtarëve rusë, që përpiqeshin të sulmonin periferitë e Kievit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë që një delegacion i vendit të tij të takohet në kufirin Ukrainë-Bjellorusi me një delegacion rus.
Ndonëse takimi është paralajmëruar për mëngjesin e sotëm, ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me të.
Zhvillimet e fundit në Ukrainë
-Izolimi politik dhe ekonomik i Rusisë është thelluar pasi forcat e saj kanë hasur në rezistencë të ashpër në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhe në qytete të tjera. Perëndimi po ashtu ka ashpërsuar sanksionet kundër Rusisë.
-Shpërthime janë dëgjuar në Kiev dhe në qytetin e Kharkivit të hënën në mëngjes, thanë zyrtarët ukrainas.
-Zyrtarët ukrainas dhe rusë pritet të zhvillojnë bisedime në një vend në kufirin Bjellorusi-Ukrainë, tha Zyra e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
-Vendet evropiane dhe Kanadaja kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për avionët rusë. Kanadaja tha se kompania ajrore ruse, Aeroflot, ka shkelur ndalesën mbi qiellin e saj.
-Bashkimi Evropian do të financojë armatimin e Ukrainës, për ta ndihmuar atë që të mbrohet kundër pushtimit rus, thanë të dielën zyrtarë të lartë të BE-së. Rusia i cilëson veprimet e saj në Ukrainë si “operacion special”.
-Së paku 352 civilë, përfshirë 14 fëmijë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës. Mbi 1,600 njerëz u raportuan të plagosur.
-Dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Evropën protestuan të dielën kundër pushtimit rus të Ukrainës. Në Rusi, më shumë se 5,500 njerëz u arrestuan në protesta të ndryshme kundër luftës.

