BE do të blejë armatime për Ukrainën, do të përdoren miliona euro
Bashkimi Evropian synon të mbyllë hapësirën ajrore për linjat ajrore ruse, do të blejë armatime për Ukrainën dhe do të bllokojë mediat pro-Kremlinit, thanë zyrtarët e Komisionit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se masat që pritet të miratohen, do të shënojnë herën e parë që blloku prej 27 vendesh financon blerjen dhe dërgimin e armëve dhe paisjeve për një vend që është duke u sulmuar.
"Është rrëzuar një tjetër tabu. Tabuja se Bashkimi Evropian nuk ofron armatime për luftë", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Këto plane të Komisionit Evropian pasuan një tjetër njoftim të bërë më herët nga Gjermania se ajo do të angazhojë 100 miliardë Euro për një fond të posaçëm të forcave të armatosura dhe se do t'i rrisë shpenzimet e saj për mbrojtjen mbi nivelin 2% të PBB-së.
Ky ndryshim nxjerr në pah se si lufta e Rusisë në Ukrainë po rishkruan politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes në Evropën e pas-Luftës së Dytë Botërore, në mënyra që ishin të paimagjinueshme vetëm pak javë më parë.
Plani i BE-së për të financuar blerjen e armatimeve është i paprecedentë dhe do të përdorte miliona Euro për të ndihmuar në blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, të armëve kundratank, municioneve dhe paisjeve të tjera ushtarake për forcat e armatosura ukrainase. Plani do të ofronte edhe furnizime si karburant, veshje mbrojtëse, helmeta dhe kuti të ndihmës së shpejtë, shkruan VOA
Në këtë kuadër mund të përdoren fonde të BE-së edhe për të rimbursuar vendet e BE-së që kanë dërguar gjatë këtij viti asistencë për Ukrainën, duke shërbyer kështu si nxitje që këto vende të investojnë më shumë tek asistenca.
Për të shtuar trajnimet ushtarake dhe misionet mbështetëse nëpër botë, blloku prej 27 vendesh anëtare ka ngritur Fondin për Paqen Evropiane me një buxhet maksimal prej rreth 5.7 miliardë Eurosh. Një pjesë e këtyre fondeve mund të përdoret për të trajnuar dhe pajisur vendet partnere edhe me armë vdekjeprurëse.
Zonja Von der Leyen tha se krahas blerjes së armatimeve, vendet e BE-së do të mbyllin hapësirën e tyre ajrore për linjat ruse, vendim ky i njoftuar tashmë nga disa vende anëtare të BE-së.
"Propozojmë ndalimin e të gjithë avionëve në pronësi ruse, të regjistruar në Rusi, apo të kontrolluar nga rusët. Këta avionë nuk do të munden më të ulen, të nisen apo të fluturojnë mbi territorin e BE-së", tha ajo.
Ajo tha gjithashtu se BE-ja do të bllokojë "makinerinë mediatike të Kremlinit. Kanalet shtetërore Russia Today dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit dhe për të mbjellë përçarje në union tonë".
Zonja Von der Leyen shtoi se BE-ja do të marrë masa ndaj Presidentit bjellorus Alexander Lukashenko për mbështetjen e gjerë ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
"Do ta godasim regjimin e Lukashenkos me një paketë të re sanksionesh", tha ajo.

