Sanksionet e reja bllokojnë më shumë se gjysmën e rezervave të bankës qendrore të Rusisë
Më shumë se gjysma e rezervave të bankës qendrore të Rusisë do të bllokohen si pjesë e sanksioneve të reja të BE-së kundër vendit, njoftoi të dielën kryediplomati i BE-së Josep Borrell.
Duke folur së bashku me shefen e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen në Bruksel, Borrell tha më vonë të dielën se do të sigurojë miratimin politik të 27 vendeve anëtare të BE-së për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë.
“Me këto masa, më shumë se gjysma e rezervave të bankës qendrore të Rusisë do të bllokohen”, tha Borrell.
Sipas paketës, bankat e rëndësishme ruse do të përjashtohen nga sistemi SWIFT bëri me dije Von der Leyen në konferencën për shtyp.
Masat kundër vendit fqinj Bjellorusi gjithashtu do të përforcohen, theksoi Borrell, në këmbim të rolit të saj në lehtësimin e sulmit rus kundër Ukrainës.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se BE do të sigurojë financim për blerjen e armëve për Ukrainën, duke shtuar se kjo është hera e parë që blloku e bën këtë gjë.
Borrell tha se BE-ja po e bën këtë sepse kjo luftë kërkon angazhimin e bllokut për të mbështetur ushtrinë ukrainase.

