Do fluturonte sot nga Rinasi, kush është Toni që doli Zidane, kamerunasi u zbulua nga mesazhet me bashkombasin
Zbardhen detaje nga dosja e prokurorisë mbi valixhen me 279 mijë euro false që ju sekuestruan në Rinas kamerunasit Josoues Ngankam.
Komunikimet në celular dhe rezervimi i një apartamenti në zonën e "Don Boskos" në kryeqytet zbuluan dhe bashkëpunëtorin e tij Zinedine Nkeh, gjithashtu nga Kameruni.
Prokuroria ka dyshime të forta se ai është "Toni" që do priste paratë e falsifikuara.
Ai mbante dhe nofkën e futbollistit të famshëm Zidane.
Nkeh u arrestua sot nga policia. Siç bëhet me dije në dosjen hetimore, ai kishte prerë një biletë për tu larguar në orët e paradites së sotme nga Rinasi.
Arrestimi i kamerunasit me valixhen me euro false
Në 16 shkurt, në orën 21:45, kamerunasi Josoues Ngankam me banim në Francë ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Ai ishte nisur nga Parisi drejt Stambollit ku kishte bërë tranzitin dhe më pas destinacionin final e kishte aeroportin "Nënë Tereza".
Pasi ka mbërritur në aeroport dhe ka vulosur pasaportën është përzgjedhur nga policia për kontroll bagazhesh në skanerin e doganës. Gjatë kontrollit skaneri ka kapur imazhe që dukeshin si vlera monetare. Pas hapjes së valixhes është konstatuar një shumë e konsiderueshme kartëmonedhash të prerjeve 500, 200 dhe 100 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara si dhe një sasi me letra me ngjyrë të zezë dhe të bardhë, lastra, me formë dhe përmasa të kartmonedhave. Pas konstatimit është bërë shoqërimi i tij në policinë e Tiranës. Nga verifikimi dhe numërimi shuma totale e vlerës monetare është 279 mijë euro. Ai është marrë në pyetje në prani të avokatit të caktuar kryesisht dhe përkthyeses së gjuhës frënge.
Dëshmitë kontradiktore dhe dalja në skenë e "Tonit"
Ngankam ka treguar se do ta priste në aeroport një bashkombas i tij me emrin Toni. Sipas tij, Toni i kishte dhënë valixhen në Francë dhe i ka thënë se kur të mbërrinte në Rinas duhet ta priste në një kafe brenda aeroportit. Ai ka thënë se nuk ka dijeni për lekët por rrobat e gjetura në valixhe dhe sendet e tjera personale janë të këtij shtetasi. Gjatë marrjes në pyetje fillimisht në komisariatin e Rinasit e më pas në drejtorinë e policisë së Tiranës, Ngankam ka treguar disa versione të ndryshme për ngjarjen. Kartëmonedhat janë dërguar për ekzaminim në laborator. Nga TIA janë kërkuar pamjet filmike të datës 16 shkurt për të identifikuar nëse ka pasur persona të tjerë që e prisnin në aeroport. Ky nuk iste kontakti i parë me Shqipërinë. Nga kqyrja e TIMS rezulton se ai kishte hyrë në Shqipëri dhe në datën 7 janar ku kishte qëndruar deri në datë 12 janar.
Rezervimi i nxjerr zbuluar
Nga kqyrja e paratait celular të Ngankam, në galerinë e fotove është evidentuar një foto e faqes së internetit Booiking.com e cila shërben për rezervim të hoteleve. Te kjo foto vërehet një rezervim apartamenti në "Don Bosko", rezervim i cili është bërë për dy persona për katër netë qëndrimi për datat 16-20 shkurt dhe personi që ka bërë rezervimin është Zinedine Nkeh. Ky person është regjistruar në kontaktet e telefonit të këtij shtetasi me emrin "Zidane". Në aplikacionin Ëhats'app Ngankam i kishte dërguar mesazh në gjuhën franceze si dhe një foto nga bordi i avionit, fotografi e cila dokumenton faktin se ai ka kaluar kontrollin në aeroport dhe është nisur drejt Shqipërisë. Pas këtij fakti, prokuroria ka kontaktuar me pronarin e apartamentit. Ai është shprehur se ka disa apartamente në zona të ndryshme të Tiranës që i jep qira ditore. Në datën 15 shkurt në orën 14:00 ka shkuar një mesazh për një rezervim të një apartamenti në "Don Bosko". Rezervimi ishte për dy persona që do qëndronin katër netë, emri i rezervuesit Zinedine Nkeh.
Pasi ka bërë rezervimin ka kontaktuar me një numër cel shqiptar të cilin ai e përdorte edhe gjatë ditës që qëndroi në apartament. Pasi janë takuar ai e ka parë se ky shtetas ishte afrikan, fliste pak anglisht, flokë të shkurtra, konstrukt normal trupor. Në lidhje me pagesën, pronari thotë se Nkeh ka këmbëngulur të paguajë me kartë por duke qenë se nuk po procedonin dot në mënyrë elektronike ka bërë pagesën me lekë në dorë për një natë dhe i ka thënë se të nesërmen do sillte pjesën tjetër të tretë netëve pasi priste ti vinte një shok. Zinedine Nkeh ëdhtë larguar me 17 shkurt rreth orës 09:00 duke i thënë në telefon pronarit se do rikthehehj pas disa ditësh. Pra rezulton se ai është larguar nga apartamenti në momentin që është informuar se shtetasi Ngankam është arrestuar nga policia.
Zinedine Nkeh hyri në Shqipëri nga Muriqani
Është verifikuar sistemi TIMS ku rezulton se Nkeh ka hyrë në Shqipëri vetëm një herë nga Muriqani me 13 shkurt ora 10:43 me një furgon dhe nuk ka dalë nga territori i Shqipërisë. Nisur nga komunikimi me Ngankam dyshohet se Nkeh ishte personi që do ta priste në aeroport, kjo edhe pasi nga hetimet e deritanishme rezulton i vetmi kontakt i tij.Mbi këto të dhëna organi i akuzës ngre dyshime të arsyeshme të bazuara në fakte dhe prova se ai është bashkëpunëtori kyç i Ngankam. Ndaj u bë shpallja në kërkim i tij për tu arrestuar sot nga policia, 24 shkurt.
Preu biletën, kamerunasi do largohej sot nga Rinasi por u arrestua
Nga policia gjyqësore është konstatuar se ky shtetas duke dashur ti shmanget përgjegjësisë penale ka shkuar në një agjenci udhëtimi dhe ka kërkuar të presë një biletë udhëtim për tu larguar nga Rinasi me datë 24 shkurt në orët e paradites. Për këtë ka lënë dhe një kopje të pasaportës. Me rrezikun real të largimit, prokuroria urdhëroi arrestimin e tij që u bë i mundur pasditen e sotme, 24 shkurt. Ndaj tij rëndon akuza e falsifikimit të monedhave.
