Kremlini: Presidenti Putin do ta vendosë se kur të përfundojë ofensiva ndaj Ukrainës
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vendosur objektivat për sulmin ushtarak të vendit kundër Ukrainës dhe ai do të vendosë se kur të përfundojë operacioni “bazuar në rezultate dhe përshtatshmëri”.
Kështu së paku bëri me dije këtë të enjte zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
“Operacioni ka qëllimet e tij dhe ato duhet të arrihen," - tha zyrtari, i pyetur nga gazetarët se kur do të përfundonte ofensiva.
Në fjalimin e tij të mëngjesit të së enjtes, Putin tha se kishte urdhëruar trupat ruse të sulmonin Ukrainën për të çmilitarizuar dhe, sikurse tha ai, në kuadër të "de-nazifikimit" të vendit.
Ai pretendoi se siguria kombëtare e Rusisë ishte komprometuar nga cenimi i ardhur nga NATO në Ukrainë.
Ai tha më tej se Rusia ishte e detyruar të mbronte republikat separatiste të Donetsk dhe Lugansk nga sulmet e vazhdueshme nga forcat ukrainase. Moska i njohu dy entitetet si shtete sovrane të hënën.
“Rusia është e vendosur të neutralizojë potencialin ushtarak ukrainas, i cili është rritur në mënyrë të konsiderueshme kohët e fundit, duke përfshirë edhe ndihmën aktive të kombeve të huaja”, - tha Peskov.
Ai shtoi se në mënyrë “ideale” Ukraina duhet të “pastrohet” nga ideologjia neo-naziste.
Peskov hodhi poshtë idenë se Rusia ishte në procesin e pushtimit të Ukrainës, duke thënë se operacioni rus kishte synime të kufizuara për të mbrojtur Rusinë dhe rajonet separatiste.
Ai tha se e ardhmja e Ukrainës do të përcaktohet nga populli ukrainas.
Ushtria ruse nisi një sulm masiv kundër Ukrainës me urdhër të Putinit menjëherë pas fjalimit të tij televiziv.Ministria e Mbrojtjes tha se kishte në shënjestër elementë të infrastrukturës ushtarake ukrainase dhe kërkoi të shmangte viktimat civile.
Raporte të shumta nga terreni thanë se sulmet e dukshme ruse në të gjithë Ukrainën kanë shkaktuar dëme në baza ushtarake, depo armësh dhe disa fabrika armësh.

