Prapaskenat e luftës Rusi-Ukrainë, amerikanët ndjekin me dron të gjitha zhvillimet në terren

Situata në terren në Ukrainë përshkallëzohet nga momenti në moment. Euronews raporton se amerikanët e kanë ndjekur situatën me dronët e tyre specialë nga lartësi tejet të mëdha ndërsa kanë mbledhur informacione. Sakaq, NATO ka dhënë urdhër për përforcim të krahut lindor të saj, ndërsa pritet të mbërrijnë mijëra ushtarë amerikanë në Evropë.

Ndërsa në terren ka luftime mes Ukrainës dhe rusëve, amerikanët kanë ngritur dronet e tyre për të vëzhguar situatën për çdo eventualitet dhe përshkallëzim.

Ushtria amerikane nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë rast ndërsa është pyetur nga Euronews. Ndërsa hapësira ajrore e Ukrainës është e zbrazët nga avionët tregtarë, mediet ndërkombëtare shkruajnë për 3 drone të mëdhenj amerikanë dhe britanikë që kanë patrulluar situatën që prej fillimit të tensioneve.

Një mjet i sofistikuar ushtarak amerikan i pilotuar nga distance, i quajtur RQ-4 Global Hawk, ka marrë pamje nga terreni për orë të tëra.

Droni në madhësinë e një avioni, ka hapje krahësh gati 40 metra dhe gjatësi 15 metra. Ai fotografon dhe regjistron video me cilësi shumë të lartë ndërsa mund të rrijë në ajër më shumë se 30 orë.

Amerikanët kanë rritur fuqinë e tyre ushtarake në Poloni dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s, teksa kreu i Aleancës Veriatlantike tha se NATO do të rrisë fuqinë e saj mbrojtëse në krahun e saj Lindor. Amerikanët kanë lëvizur drejt kufirit polak dhe kanë bërë gati edhe kampe refugjatësh në skenarin më të keq të përshkallëzimit të luftës.

Më herët presidenti Biden ka thënë se asnjë centimetër katror i anëtarëve të NATO-s nuk do të preket, teksa ka urdhëruar mbi 8000 ushtarë amerikanë të nisen për në Evropë, dhe posaçërisht në krahun Lindor të NATO-s.