Scholz: Nëse të gjithë në Evropë fillojnë të shfletojnë librat e historisë me kufij të vjetër, ne kemi një periudhë shqetësuese përpara
Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë në gjendje të vendosin për sanksione shtesë kundër Rusisë nëse ajo pushton Ukrainën, gjë që nuk mund të përjashtohet, tha kancelari gjerman Olaf Scholz pasi BE tha se kishte rënë dakord për sanksione që do të "dëmtonin shumë Rusinë" .
Scholz tha gjithashtu se njohja nga Rusia e rajoneve Luhansk dhe Donetsk nuk ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rrezikonte sovranitetin e Ukrainës.
"Ne nuk mund ta pranojmë këtë," tha Scholz për RTL.
Ai shtoi se respektimi i kufijve është i rëndësishëm për paqen në Evropë.
"Nëse të gjithë në Evropë fillojnë të shfletojnë librat e historisë ku dikur ishin kufijtë, atëherë ne kemi një periudhë shumë shqetësuese përpara," shtoi Scholz.
“Veprimi ynë sot është një përgjigje ndaj sjelljes agresive të Rusisë”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë shtypi pasi ministrat e jashtëm të BE ranë dakord për sanksionet kundër Rusisë.
"Nëse Rusia vazhdon të përshkallëzojë krizën që ka krijuar, ne jemi të gatshëm të ndërmarrim veprime të mëtejshme si përgjigje."
Ursula von der Leyen gjithashtu vuri në dukje se BE-ja duhet të punojë që të jetë më pak e varur nga Rusia për gaz.
Bashkimi Evropian njoftoi sot pasdite se po vendos sanksione ndaj të gjithë ligjvënësve rusë dhe 27 individëve/entiteteve të tjera, por jo ndaj Presidentit Vladimir Putin.
Sanksionet e ardhshme "do të dëmtojnë shumë Rusinë", tha në Paris përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, duke folur me ministrin e Jashtëm francez.
