Komisioni për incineratorët/ Demalia: S’do ketë rezultat, këto kanë zaptuar politikën. Janë kthyer në turp e neveri

Publicisti Ilir Demalia ka komentuar punën që po bëhet në Komisionin Hetimor të ngritur për incineratorët.

Në një intervistë për Ora News, Demalia teksa ka komentuar dëshminë e Erion Veliajt tha se ditën e sotme nuk u diskutua për çështjen që ishte mbledhur Komisoni po sipas tij palët zhantazhonin njëra-tjetrën për aferat korruptive që janë përfshirë.

Ilir Demalia: Nuk mendoj se ishte një komision për të zhvilluar një hetim për një aferë kaq të madhe korruptive por më tepër ishte një komision ku shihet se si palët të denigronin njëri-tjetrin. Largoheshin nga objekti i asaj që është mbledhur si Komision Hetimi, dhe futeshin në afera korruptive personale duke shantazhuar njëri-tjetrin me aferat e tyre korruptive.

Demalia theksoi se ky Komision nuk do të ketë rezultat. Ndër të tjera tha se  politika shqiptare sot është një pasqyrim i ndërgjegjes dhe i mentalitetit shqiptar.

Ilir Demalia: Që nga fillimi nuk kam menduar se ky komision do të ketë rezultat. Këta janë kthyer në një turp dhe një neveri. Këto kanë zaptuar këtë politikë dhe po sundojnë shqiptarët në hallin e madh që i ka zënë dhe nuk kanë rrugë tjetër dhe vetëm largohen nga Shqipëria. Shqiptarët po plaken me shpejtësi nga largimi i të rinjve. Këta kanë shkatërruar perspektivën për të pasur një sistem model plus që kanë shkelur ligjin themeltar të të drejtave të njeriut. Politika shqiptare sot është një pasqyrim i ndërgjegjes dhe i mentalitetit shqiptar. Këto janë një paketë e tërë që kanë denigruar gjendjen politike në vendin tonë. Komisioni është vazhdim i Big Brother. Ky Komision nuk bën asgjë.

Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti Anila Kolgjini.