Bashkia i bën "dhuratë" për ditëlindje 5-vjeçares shembjen e shtëpisë te "5 Maji"

Sonte është nata e fundit që do të kalojnë në shtëpitë e tyre 12 familje në zonën e 5 Majit pasi më 22 shkurt do të ketë shembje. Por 22 shkurti është ditë e shënuar për Bekim çerri. Pikërisht nesër vajza e tij feston 5 vjetorin në rrethana që nuk i kishte menduar kurrë. Ai thotë që shpreson që ditëlindja e vajzës së tij të mos mbahet mend si traumë.

Sot është dita e fundit në shtëpi për 12 familje në zonën e "5 Majit."

As reshjet e shiut nuk i ndaluan banorët të dilnin  në protestë para bashkisë Tiranë për të kundërshtuar gjobën që ju vendos Laureta Nikollit për ndërtim pa leje.

"Mendojmë që kjo ishte një hakmarrje dhe ishte një hakmarrje jo ndaj meje, por ndaj fëmijëve të mi. Kjo ishte një gjë shumë e rëndë," tha Nikolli.

Kjo e fundit kishte marrë me vete dhe dy fëmijët e saj 4 dhe 2 vjeç të cilët lindën dhe jetuan po kaq vite në atë shpi e cila pritet të shembet.

"Duke qenë se nesër ndodhin shembjet ne i kërkojmë bashkisë ta rimendojë akt-marrëveshjen dhe të vendosë Ku dhe Kur sepse po shkel ligjin me të dyja këmbët," tha ajo.

Por 22 shkurti është ditë e shënuar për Bekim Çerri. Pikërisht nesër vajza e tij feston 5 vjetorin në rrethana që nuk i kishte menduar kurrë.

"Vajza ime më 22 shkurt mbush 5 vjeç. Nuk di çfarë të them, ajo pret që t'i festohet ditëlindja, më pyet si do ta bëjmë tortën, çfarë t'i thosha? Çfarë t'i thosha një vajzë që akoma nuk ka arritur mendimin..që do t'i prishet shtëpia," tha ai.

Ai thotë që shpreson që ditëlindja e vajzës së tij të mos mbahet mend si traumë.

"Ndihem aq i pafuqishëm që në të njëjtën ditë që do bëhet prishja dhe vajzës time që nesër mbush 5 vjeç asaj do t'i ngelet prishja e shtëpisë. Nuk di çfarë të presim nga ky shtet, kur në ditën më të lumtur vajzës time do t'i prishin shtëpinë," shtoi ai.

Gjatë ditës së martë në njësinë administrative 8 pritet të shemben 12 banesa familjet e të cilave nuk kanë firmosur një marrëveshje me bashkinë Tiranë. Banorët kanë paralajmëruar se do të bëjnë rezistencë ndërsa kanë kërkuar mbështetjen e të gjithëve.