Importi i eurove false, në kërkim të “Tonit” që priste valixhen e kamerunasit
Arrestimi i shtetasit nga Kameruni pak ditë më parë në Rinas me një sasi të konsiderueshme euro false, ka krijuar dyshime tek policia se ky person ka sjellë edhe më parë në Shqipëri para të falsifikuara. 53-vjeçari rezulton se ka hyrë në Shqipëri në datën 7 janar 2022 dhe ka qëndruar 5 ditë. Prokuroria ka kërkuar pamjet filmike të aeroportit për të identifikuar personat që e kanë pritur dhe që mund të jenë bashkëpunëtorë të tij.
Qëndrimi 5 ditor në Shqipëri i kamerunasit, Josoue Ngankam, rreth 1 muaj më parë ka shtuar dyshimet e prokurorisë se ai mund të ketë sjellë në vendin tonë kartmonedha të falsifikuara.
Prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve filmike të datave 7 dhe 12 janar, kur i dyshuari ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria.
Nga sekuestrimi i materialeve në Rinas, prokuroria do të verifikojë personat me të cilët kamerunasi ka kontaktuar gjatë qëndrimit të tij në Tiranë dhe po ashtu nëse ka pasur çanta apo valixhe me vete.
Pjesë e hetimeve është edhe analiza e qelizave telefonike për të zbardhur lëvizjet dhe mesazhat e 53-vjeçarit, i cili tri ditë më parë u ndalua në Rinas me një valixhe ku kishte 279 mijë euro false.
Edhe pse ai në sallën e gjyqit është shprehur se nuk ishte në dijeni të kartmonemedhave, versionet e ndryshme të dhëna para hetuesve kanë ngritur dyshimet së kamerunasi po fsheh bashkëpunëtorët.
I arrestuari ka treguar së paratë do t'ia dorëzonte një personi me emrin 'Toni', ndërkohë që ka pretenduar se identitetin e plotë të këtij personi nuk e di.
Njëkohësisht hetuesit po vëzhgojnë kamerat e sigurisë në aeroportin e Rinasit, në datën kur kamerunasi është arrestuar, për të konstatuar ndonjë person të dyshimtë që mund të ketë qenë në pritje të porosisë.
Sasia prej 279 mijë eurosh të falsifikuara së bashku me lastrat që përdoren për falsifikimin e kartmonedhave dhe rreth 700 mijë letra lastra, u sekuestruan pak ditë më parë pas kontrolleve me skaner në aeroport.
