Shoqata e Transportit ‘ultimatum’ qeverisë: Plotësoni 4 kërkesat tona ose më 1 mars do ndërpresim shërbimin
Shoqata e Transporteve i ka lënë 8 dite afat bashkisë dhe qeverisë për rimbursimin dhe heqjen e taksës së qarkullimit në karburante, ndryshe paralajmëron se do të mbyllë shërbimin e linjave të urbanëve.
1 Marsi është afati i fundit që Shoqata e Transportit i ka lënë bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për realizimin e kërkesave te saj.
Me anë të një shkrese, Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kërkon plotësimin e kushteve, në të kundërt paralajmëron ndërprerjen e shërbimit.
Problem është rritja e çmimit të naftës, e cila ka kapur nivele alarmante duke e bërë të pamundur shërbimin.
Kjo nuk është hera e parë që Shoqata e Transportit i bën ultimatum qeverisë dhe bashkisë për realizimin e kërkesave të tyre, pasi që prej periudhës së pandemisë Covid 19 transporti publik pësoi një dëm financiar të parikuperueshëm ndërsa gjendja e tyre u vështirësua akoma më shumë me rritjen e naftës.
Kërkesat e tyre mbeten të njëjta si rimbursimi i TVSH,heqja e akcizës 37 lekë/liter, heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licensuara si dhe rimbursimi për kateogrite .
Me mbylljen e transportit, e gjithë vështirësia në lëvizje u bie qytetarëve të cilët janë të detyruar të qarkullojne me transport urban.
Kërkesat e tyre janë:
1-Rimbursimi i TVSH në shitje
2-Heqja e akcizës 37 lekë/litër
3-Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër.
4-Rimbursimi për kategoritë (Invalidë pune, Të verbër, Paraplegjik, Tetraplegjik, Studentët).
Shoqata e Transportit thotë se nëse nuk merren këto masa do të ndërpresin shërbimin më 1 Mars 2022.
Letra e plote:
Drejtuar:
Shkëlqesisë së Tij Z. Edi RAMA
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Z. Erion VELIAJ
Bashkia Tiranë – Kryetar
Z. Arben AHMETAJ
Zëvendëskryeministër
Znj. Delina IBRAHIMAJ
Ministër i Financave dhe Ekonomisë
Znj. Belinda BALLUKU
Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje
Të nderuar!
Shërbimi i transportit qytetës (urban) të udhëtarëve, në vendin tonë, që prej 20 viteve, kryhet nga subjekte private, të licensuara nga bashkitë përkatëse. Në këndvështrimin e funksionimit të tyre, si biznese, këto subjekte, të ardhurat për realizimin e këtij shërbimi i sigurojnë vetëm nëpërmjet tarifave që paguajnë drejtpërdrejtë udhëtarët që përdorin këtë lloj shërbimi. Operatorët privat që kryejnë
këtë lloj shërbimi janë të bashkuar në Shoqatën Kombëtare të Trasportit Qytetës (SHKTQ), e cila në vazhdim dëshiron edhe një hërë të ngrejë shqetësimet që ndeshen
dhe që përcaktojnë vazhdimësinë e këtij biznesi. Në muajt e fundit çmimi i naftës është rritur në nivele alarmante. Ndikimi kësaj rritje është në kostot e secilit operator, ku pamundësia për blerjen e saj në kohë, sjell një shërbim jo cilësor, vonesa në ofrimin e shërbimit dhe njëkohësisht kjo do sjellë edhe ulje të kërkesës së përgjithshme.
Sektori i transportit është shumë intensiv në veprimtarinë e tij dhe për këtë arsye ndikimi i çmimeve më të larta të naftës dhe derivative të saj, i përkthyer në çmime më të larta të karburantit është i rëndësishëm dhe thelbësor për veprimtarinë tonë dhe ndikon drejpërsëdrejti në aftësinë për kryerjen dhe ofrimin e shërbimit për qytetarët.
Nga shoqata jonë janë ngritur një sërë propozimesh të rakorduara dhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë Z.Veliaj, si Bashkia me aktivitetin më të madh të transportit, mbi disa lehtësi të domosdoshme për sektorin tonë, pa të cilat shërbimi që ne ofrojmë do të shkojë drejt mbylljes si arsye e pamundësisë financiare.
Për të mbështetur kërkesën tonë Ju sqarojme se në koston e shërbimit tonë, rreth 48% vjen nga karburanti dhe derivatet e tij ku në muajt e fundit janë rritur me të paktën 25%. Këtë rritje ne e kemi të pamundur ta reflektojmë në cmim, ashtu sic llogjikisht e bën cdo biznes tjetër, përderisa cmimi i shërbimit tonë është i përcaktuar me Vendim të Këshillit Bashkiak.
Sot, për të bërë të mundur vazhdimin e shërbimit, pa cënuar cilësinë e tij, e cila është jetike për qytetet tona, ju sjell në kujtesë propozimet tona kundrejt qeverisë qëndrore dhe asaj lokale në ndihmë të sektorit tonë, të cilat pavarësisht se janë rakorduar, pranuar dhe premtuar se do të realizohen, ende nuk shihet asnjë veprim konkret mbi to dhe ato janë si më poshtë:
1. Rimbursimi i TVSH në shitje
2. Heqja e akcizës 37 lekë/litër
3. Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licensuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër
4. Rimbursimi nga Ministritë e linjës lidhur me kategoritë (Invalidë pune, Të verbër, Paraplegjik, Tetraplegjik, Studentët) të cilët përfitojnë cmim të reduktuar ose falas, referuar dispozitave të Ligjit Nr.37/2014 “Për disa shtesa në Ligjin 8308 dt.18/03/1998 për Transportet Rrugore” të ndryshuar, për zgjidhjen e kësaj cështje.
Në mungesë të marrjes së masave, shoqëritë e transportit qytetës, me datë 1 Mars 2022 do të ndërpresin aktivitetin e tyre duke mos ofruar shërbimin qytetarëve. Kërkesat kanë qënë të shumta ashtu sikurse edhe premtimet për veprim dhe zgjidhje, por për sa kohë fenomeni vazhdon të mbetet i njëjtë dhe nuk ka asnjë marrje mase apo ndihmë kundrejt këtyre subjekteve, mosofrimi i shërbimit do të vazhdojë deri në momentin që këto kërkesa do të realizohen me veprime.
Theksojmë se marrja e masave si më mësipër nuk është në dëshirën e shoqërive tona, por të gjendura në pamundësi financiare të secilës prej tyre që ofrojnë këtë shërbim.
Me bindjen që kërkesat tona janë të drejta dhe të realizueshme, mbetemi në pritje të një përgjigje pozitive nga ana Juaj.

