PD padit Kuvendin në Kushtetuese për KLP-në: Anëtarët u paracaktuan me short fiktiv

Partia Demokratike do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e sotëm të Kuvendit për  caktimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke e cilësuar antikushtetues.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, thotë se Kuvendi shkeli Kushtetutën dhe ligjin në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke bërë proces fiktiv shorti, ku për dy vende vakante në “short” u hodh vetëm një kandidat.

"Drejtësia e pavarur është element kyç për shtetin ligjor. Mazhoranca paracakton anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kuvendi shkeli Kushtetutën dhe ligjin në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke bërë proces fiktiv shorti, ku për dy vende vakante në “short” u hodh vetëm një kandidat" shkruan Bardhi.

Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, u mblodh sot Nënkomisioni për zgjedhjen e anëtarëve të KLP dhe KLGJ.

Votimi filloi nga lista e të skualifikuarve, ku sipas rendit alfabetik Alban Koci, Endri Papajorgji, Idlir Duhanxhi, Indrit Shtupi, nuk arritën të merrnin 4 votat e nevojshme për tu kualifikuar ne Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Po ashtu, edhe nga lista e të kualifikuarve Ilir Rusi, Orjona Mucollari, Yllka Rupa, nuk arritën të merrnin 4 votat e nevojshme për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Meqenëse anëtarët nuk arritën të zgjidhen me votë, procedura e përzgjedhjes vazhdoi me hedhjen e shortit, ku nga ky short Yllka Ruka u zgjodh anëtare e KLGJ e cila do të zëvendësoje Erjon Muharremajn, Ilir Rusi u zgjodh anëtar i KLGJ ku do të zëvendësojë Maksim Çokun dhe Mirela Bogdani u zgjodh anëtare e KLP e cila do të zëvendësoje Gent Ibrahimin.

Në fund të mbledhjes, kryetarja Bushka u shpreh se për një vend vakant të ngelur në KLP, do të rishpallet vakanca.