"Misha Banana", kush është “lordi” i drogës serb që Credit Suisse i hapi llogari bankare

Rodoljub Radulović, i akuzuar si një anëtar i lartë i një karteli famëkeq ballkanik, kontrollonte të paktën dy llogari në Credit Suisse.

Ai dyshohej se e përdorte për pastrimin e parave nga transaksionet e drogës. Një person tjetër, i panjohur më parë për autoritetet, dyshohet se u përdor për të mbrojtur pasuritë e tij të paligjshme.

Duhet të kishte qenë e vështirë për Rodoljub Radulović-in të hapte llogari bankare në Zvicër.

Deri në vitin 2005, serbi kishte më shumë se 15 milionë dollarë borxhe, nën hetim nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC) dhe përballej me padi të shumta nga kreditorët e sekuestrimet.

Por pavarësisht këtyre flamujve të kuq, dega e Credit Suisse e Zyrihut me sa duket nuk pa asgjë të keqe kur hapi dy llogari për Radulović: një në vitin 2005, disa vjet pasi SEC filloi hetimin e saj dhe një tjetër në 2007.

Gazetarët zbuluan këto llogari, njëra prej të cilave mbante miliona franga zvicerane, duke gërmuar në të dhënat e marra në projektin Suisse Secrets. Një nga llogaritë, e listuar nën emrin e një kompanie offshore, ishte e panjohur për prokurorët që hetonin çështjet financiare të Radulović.

Me marrëdhëniet e tij të dyshimta financiare, Raduloviç dyshohet për përfshirje në një kartel të madh ballkanik të drogës të drejtuar nga Darko Shariq, një baron malazez i drogës, i cili përballet me akuza për kontrabandë kokaine që datojnë në vitin vitin 2012, me ngarkesa prej 1.8 ton.

Radulović, i njohur si "Misha Banana" njihet për fshehjen e kokainës në dërgesat e bananeve, nuk do t'i mbyllte llogaritë e tij në Credit Suisse deri në maj të vitit 2010, pothuajse një dekadë pasi nisi hetimet për punët e tij dhe një muaj pasi partneri i tij në krim, Darko Shariq, ishte akuzuar për drogë në Serbi.

Në vitin 2012, vetë Rodoljub Radulović u akuzua për të njëjtin rast - por ai ishte në arrati. Ai nuk është parë që atëherë.

Ndërsa të dyja llogaritë e tij duket se janë mbyllur pak para se laku të shtrëngohej për çështjen e tij të drogës, fakti që ai ishte në gjendje t'i hapte ato shumë kohë pasi u bë objektiv i autoriteteve amerikane, ngre pyetje serioze të kujdesit të duhur për Credit Suisse.

Maira Martini, një eksperte në luftën kundër pastrimit të parave në Transparency International, tha se duhet të kishte "zero" mundësi që një bankë e madhe të mos vinte re dikë që kishte pasur telashe me SEC - e cila lëshoi ​​një deklaratë për shtyp kur ngriti akuzat kundër Raduloviqit.

“Këto lloj gjërash, do të ishte shumë e vështirë të mos i vësh re,” - tha Martini.

Avokati i Rodoljub Radulović refuzoi të komentonte një gjë të tillë, duke thënë se një hetim serb mbi llogaritë zvicerane ishte ende i hapur.

Radulović, vendndodhja e të cilit mbetet e panjohur, u dënua me 10 vjet burg për akuzat e tij për drogë pasi një gjyq u zhvillua në mungesë të tij. Dënimi i tij u anulua më vonë për arsye procedurale dhe një rigjykim vazhdon në Beograd.

Skemat e mashtrimeve të Radulović

Radulović, i cili jetoi në Florida për vite me radhë, fitoi rreth dhjetëra miliona nga të ashtuquajturat manipulime dhe mashtrime në bursë. Ndër zotërimet e tij kryesore ishte firma e tij Ramoil Holding, e regjistruar në Ishujt Kajman.

Në procesverbalet e gjykatës amerikane, Ramoil përshkruhet si një kompani "mashtruese" e krijuar për të lëvizur para - përfitime të paligjshme të Radulović-it - ndërmjet firmave të tij të ndryshme përmes transaksioneve ndërkombëtare.

Në tetor 2001, SEC i SHBA-së akuzoi Radulović-in, disa nga bashkëpunëtorët e tij dhe një kompani me bazë në Nevada që ai zotëronte, Ramoil Management, për një "skemë manipulimi të tregut prej 3.3 milionë dollarësh". Grupi u akuzua për falsifikimin e auditimeve të Ramoil dhe bërjen e deklaratave të rreme.

Këto deklarata, të cilat premtonin në mënyrë të rreme se Ramoil së shpejti do të listohej në bursën e NASDAQ, "e çuan çmimin e aksioneve të Ramoil nga 7 dollarë për aksion në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 20 dollarësh", sipas SEC.

 Më pas, 1.8 milionë aksione të Ramoil u hodhën në treg. Rezultati përfundimtar, tha SEC, ishte "fitime prej rreth 3.3 milionë dollarë" për ata që lidhen me Ramoil.