"Në verë pa kufizime", Gjata: Pandemia drejt zhdukjes gjatë temperaturave të larta
Megjithëse dimri pati një numër të lartë infektimesh duke shënuar pikun e pandemisë që prej nisjes së saj në Shqipëri, duket se në pranverë do ti kthehemi normalitetit.
Mjeku Arben Gjata thotë se në muajt e nxehtë pritet që të ketë edhe lehtësim të masave, apo ndoshta edhe heqje te tyre.
"Nuk do kemi shtrëngim masash sepse janë duke u ulur shifrat. Çdo ditë kemi ulje të shifrave dhe fataliteteve dhe unë besoj që ndoshta me hyrjen e pranverës mund të lirohen pak masat anticovid, në verë ndoshta do jenë zhdukur fare," tha mjeku.
Rritja e temperaturave është arsyeja kryesore e përmirësismit të situatës.
"Besoj që me ngrohjen e kohës, nga fundi i marsit do kemi gati zerim ose ulje shumë të ndjeshme të shifrave të pacientëve të prekur," shtoi Gjata.
Ndërsa jo vetëm masat anticovid të përcaktuara deri më sot, por edhe imuniteti natyral ka pasur një ndikim pozitiv të situata e pandemisë në vend.
"Për shkak të zbatimit të pjesshëm të masave ne kemi një pjesë të madhe të popullatës që e ka kaluar Covidi dhe ndoshta nuk e dinë se nuk kanë bërë as tampon," tha mjeku.
Numrin e qëndrueshëm të pacientëve në spital, Arben Gjata e lidh me agresivitetin e ulët të variantit Omicron të coronavirusit, ndërsa kujton se 80% e të shtruarve kanë qenë të pavaksinaur.
