Sëmundjet e zemrës dhe Omicron, kardiologu: Neglizhenca e simptomave sjell probleme

Për shkak të simptomave më të lehta të shkaktuara nga varianti Omicron i Covid, është vënë re një neglizhencë e sëmundjes nga qytetarët.

Kjo për kardiologun Taulant Gishto sjell më shumë shqetësime kardiovaskulare, e kryesisht në periudhën post Covid.

"Kjo neglizhencë përkthehet në komplikacione, komplikacione në sistemin pulmonar dhe sistemin kardiovaskular. Që do të thotë jemi përballë një situate ku komplikacionet pas Covid me këtë variant për shkak të nëndiagnostikimit dhe nënvlerësimit që bëhet nga ana e pacientëve."

Gishto, gjithashtu, sqaron se komplikacionet janë  të gjitha formave, nga ato që mund të kurohen në shtëpi, deri të format e rënda që kërkojnë trajtim spitalor.

"Ajo që kemi vënë re në format e reja të Covid është prekja e muskujve të zemrës, duke shkaktuar miokardite masive, perikarditet janë më të shpeshta, fatmirësisht janë më të lehta."

Mjekët këshillojnë qytetarët që të drejtohen menjëherë të kardiologu nëse edhe pasi kanë kaluar Covid, ndjejnë vështirësi në frymëmarrje apo edhe luhatje tensioni.

"Pas Covid nëse disa javë mbrapa vazhdon mbajtja e frymës, vazhdon ,lodhja, vazhdon debulesa, dobësia trupore, ndjesia e të rrahurit të shpejta të kraharorit, prania e tensionit te ata që nuk kanë pasur tension,  do të thotë kambanë alarmi dhe nuk duhen neglizhuar."

Kohët e fundit po vihet re se moshat nga 40-60 vjeç janë më të kujdesshëm për shëndetin e tyre se sa të gjitha grupmoshat e tjera.