Tare shpjegon arsyet e largimit të Vedat Muriqit nga Lazio

Për Vedat Muriqin, sponsorizuesi më i madh te Lazio ishte padyshim Igli Tare. Ishte pikërisht Dr. Sportiv shqiptar që vuri “bast” për bomberin dardan për ta sjellë te Lazio pas golave dhe shkëlqimit të sulmuesit në Turqi por gjërat nuk shkuan siç duhet.

Pas një vit e gjysmë, bardhekaltërit vendosën ta largojnë lojtarin të paktën në huazim edhe pse do të dëshironin ta shisnin përfundimisht për të rikuperuar 20 mln eurot e shpenzuara. Gjithsesi Igli Tare shpjegoi edhe arsyen pse Muriqin e larguan në merkaton e dimrit.

“Ekipit i duhej një sulmues tjetër. Ne bëmë një zgjedhje, atë për të dërguar Muriqin në një ekip tjetër për të luajtur. Ne kishim nevojë për një lojtar me karakteristika të tjera për lojën e skuadrës ndaj dhe vepruam në këtë mënyrë. Afruam Cabral në vend të Muriqit sepse sulmuesi te Sporting luante nga krahët, si sulmues i dytë apo “falso nuevo”, është një çështje zgjedhjeje”, deklaroi Dr. Sportiv i Lazios i cili pikërisht për merkaton dhe emrat e lojtarëve thuhet të ketë përplasje me Sarrin.

Ndërkohë Muriqi në dy ndeshje te Mallorca ka shënuar 1 gol dhe ka dhënë dy asiste deçizive për ekipin.