Gjykata pezullon garën por Komiteti Ekzekutiv miraton materialet për zgjedhjet në FSHF

Teksa ka ende tension dhe ndërhyrje nga pale të treta siç i konsideron UEFA në zgjedhjet e Shoqatave Rajonale në përgatitjet për zgjedhjet për president në FSHF, është mbledhur sot organi më i rëndësishëm i këtij institucioni.

Edhe pse Gjykata e Tiranës mori sot një vendim ku pezulloi Komisionin e Verifikimit të FSHF-së në ushtrimin e kompetencave statutore, organi më i lartë në Federatë, Komiteti Ekzekutiv bëri hapin e radhës për zgjedhjet për president.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit u mmblodh në ora 11:00 për të shqyrtuar materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02 mars 2022 ku vendosi të miratojë materialet e Asamblesë së Përgjithshme të  Zakonshme Zgjedhore 2022.

KE miratoi bilancin e konsoliduar dhe pasqyrat e fitimit dhe humbjes për vitin 2021, raportin e Auditorit të Pavarur për vitin 2021 dhe buxhetin e vitit 2022.

Gjithashtu, Komitetit Ekzekutiv ka vendosur në këtë mbledhje t’i propozojë Asamblesë së  Përgjithshme të Zakonshme, kompaninë “Grand Thorton” për të bërë auditimin financiar për vitin 2022. Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë./Ora News/.