Basha hap fushatën me një selfie në Shkodër: Dy dashuri kanë shkodranët, Vllazninë dhe Partinë Demokratike

Lulzim Basha kërkon të marrë bashkinë e Shkodrës me 6 mars me kandidatin e tij, me besimin se demokratët nuk do të votojnë kandidatët e Berishës dhe Ramës.

"Po e nis me një selfi se kam iluzionin që selfi, fotografia, do ta kujtoj e do ta ruaj, do ta përjetësoj këtë moment mahnitës, këtë moment të mrekullueshëm këtu në këtë kryeqendër që gjithkush, çdo shqiptar, çdokush që flet shqip, i thotë kryeqendra e veriut".

Me një selfie me shkodranët, shefi i selisë blu Lulzim Basha e ka çelur fushatën elektorale për zgjedhjet e 6 marsit nga kryeqendra e veriut.

Për të prezantuar kanidatin me të cilin garon PD, Basha mbajti një fjalim të shkurtër pa asnjë premtim, por të mbushur me plot fjalë të bukura.

Basha: Shkodra është kryeqendra e kombit. Dy dashni kanë shkodranët, PD dhe Vllazninë.

Përveç garës me socialisten, kandidati i Lulzim Bashës me 6 mars do të ketë përballë një tjetër demokrat për drejtuar Shkodrën.

Basha: Nuk ju njoh pak, duke ju njohur mirë, duke parë si keni votuar zgjedhje pas zgjedhjesh që kur kam qenë fëmijë si keni zgjedhur në kohë të vështia e them me gojën plot që askush nuk i rren dot shkodranët. Nuk i ka rrejt Enver Hoxha për 50 vjet e nuk mundet askush me asnjë marifet.

Xhemali një nga bisedat kohë më parë kur nuk e dinte që do i propozohej sakrifica e përfaqësimit të shkodranëve në një moment si ky më ka thënë tre fjalë. Shkodra asht dashni. E shoh që e ka dhe në sloganin e tij. E vërteta është që Shkodra është dashni, Xhemal Bushati është kandidati më i mirë për Shkodrën.

PD ka një borxh të madh që nuk ia ka shlyer Shkodrës, jam i bindur që Shkodra do votojë PD se shkodranët që nuk i gënjeu dot as Enver Hoxha nuk i gënjen dot askush tjetër me asnjë marifet. Zotohem që këtë besim të madh të shkodranëve këtë borxh të pashlyer ta kthejmë në një politikë me fytyrë njerëzore.

Xhemal Bushati do të kërkojë të marrë bashkinë e Shkodrës në garë me Bardh Spahinë e Shtëpisë së Lirisë dhe socialisten Majlinda Angoni.