Fushata zgjedhore nisi, Ambasadori britanik: Mundësi e mirë për të shpalosur programe, votuesit të marrin pjesë
Britania e Madhe e sheh nisjen zyrtare të fushatë elektorale në vendin tonë për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit një mundësi për partitë dhe kandidatët që të parashtrojnë programe që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
Ambasadori Alastair King-Smith inkurajon të gjithë votuesit në 6 bashki të vendit që të marrin pjesë dhe ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet.
"Fushata për zgjedhjet e 6 marsit fillon sot. Kjo është një mundësi për partitë dhe kandidatët që të parashtrojnë programe të qarta politike që u përgjigjen nevojave të qytetarëve në nivel vendor. Inkurajojmë të gjithë votuesit të marrin pjesë dhe ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet".
Përveç garës me socialistët, 6 marsi do të jetë një test politik në mes të demokratëve Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
Shefi i selisë blu do të duhet të tregojë forcën politike ndaj parardhësit të tij në PD, i cili me ndihmën e LSI-së dhe PDK garon me kandidatët e tij nën logon e “Shtëpisë së Lirisë” për të kërkuar votën e qytetarëve dhe në veçanti atë të demokratëve.
Shkodra do të shndërrohet në betejën e votave mes Bashës dhe Berishës, ndërsa Rama shpreson të përfitojë nga përçarja e votave mes demokratëve.
648 536 zgjedhës me 6 mars do t’i drejtohen 940 kutive të votimit në 6 bshkitë për të zgjedhur mes alternativave politike, të cilët do të qëndrojnë në detyrë rreth një vit.
Përveç identifikimit elektronik, në bashkinë e Vorës do të aplikohet e plotë teknologjia, pasi banorët e kësaj zonë do të votojnë në mënyrë elektronike dhe votat e tyre do të numërohen në të njëjtën mënyrë.
