E vranë dhe e lanë në shtëpi, 46-vjeçari Altin Alikaj gjendet i vdekur në banesë nga nëna e tij

Një ish-ushtarak 46-vjeçar është gjetur i vrarë në banesën e tij në Vlorë. I zhdukur prej datës 11 shkurt, trupin e pajetë të Altin Alikaj e gjeti mëngjesin e së premtes nëna e tij, e cila ishte kthyer nga Greqia. Burimet thanë se në trupin e viktimës ka pasur të paktën 2 plumba dhe shenja të tjera dhune.

Një 46-vjeçar i identifikuar si Altin Alikaj është gjetur i vrarë në shtëpinë e tij në Vlorë paraditen e së premtes.

Alikaj ishte shpallur i zhdukur prej datës 11 shkurt ndërsa nëna e tij kishte ardhur të premten nga Greqia dhe e ka gjetur të birin të vdekur brenda objektit.

Trupi i Altin Alikaj është gjetur i dekomozuar, ndërsa dyshimet paraprake ishin se ai kishte ndërruar jetë nga përdorimi i tepruar i lëndëve narkotike.

Por ekspertiza mjekoligjore ka konfirmuar se në trupin e 46 -vjeçarit ka shenja arme.

Të paktën dy të shtëna, një në kokë dhe një në shpatull nga krahu i zemrës i janë gjetur Alikajt, i cili dyshohet të jetë vrarë 10 deri në 2 javë më parë.

Gjithashtu në trupin e viktimës janë gjetur edhe shenja të tjera, dhe mendohet se ai është dhunuar para se të vritet.

Mësohet se viktimës i është marrë telefoni pas vrasjes ndërsa atentatorët janë zhdukur.

Burimet saktësuan se ish-nënoficeri në një repart ushtarak në Vlorë pak kohë më parë kishte udhëtuar drejt Kosovës, ndërsa për arsye ende të paqarta autoritetet atje i kanë konfiskuar pasaportën, dhe kalimi i tij për në Shqipëri ka qenë në mënyrë ilegale.

Do të jetë e vështirë zbardhja e ngjarjes pasi shtëpia private në lagjen e "Çoles" në Vlorë nuk mbulohet nga kamerat e sigurisë.

Paraprakisht mendohet se Altin Alikaj nuk ka qenë një person me precedent penal.