U gjet sot i vdekur nga e ëma, e paqartë pse nuk u kontrollua banesa për ditë me radhë, viktima ish-ushtarak

Në këtë banesë u gjet i vdekur 46-vjeçari Altin Alikaj.Trupi i pajetë në gjendje të dekompozuar u gjet sot nga ëma, e cila sapo kishte mbërritur nga Greqia.

46-vjeçari, ish-ushtarak, ishte shpallur i zhdukur që prej 11 shkurtit.

Trupi i Altin Alikaj është gjetur i dekomozuar, ndërsa dyshimet paraprake ishin se ai kishte ndërruar jetë nga përdorimi i tepruar i lëndëve narkotike.

Por ekspertiza mjekoligjore ka konfirmuar se në trupin e 46 -vjeçarit ka shenja arme.

Të paktën dy të shtëna, një në kokë dhe një në shpatull nga krahu i zemrës i janë gjetur Alikajt, i cili dyshohet të jetë vrarë 10 deri në 2 javë më parë.

Gjithashtu në trupin e viktimës janë gjetur edhe shenja të tjera, dhe mendohet se ai është dhunuar para se të vritet.

Mësohet se viktimës i është marrë telefoni pas vrasjes ndërsa atentatorët janë zhdukur.

Burimet saktësuan se ish-nënoficeri në një repart ushtarak në Vlorë pak kohë më parë kishte udhëtuar drejt Kosovës, ndërsa për arsye ende të paqarta autoritetet atje i kanë konfiskuar pasaportën, dhe kalimi i tij për në Shqipëri ka qenë në mënyrë ilegale.

Do të jetë e vështirë zbardhja e ngjarjes pasi shtëpia private në lagjen e "Çoles" në Vlorë nuk mbulohet nga kamerat e sigurisë.

Paraprakisht mendohet se Altin Alikaj nuk ka qenë një person me precedent penal.