Vrau gruan me çekiç, Prokuroria mbyll hetimet për shqiptarin në Itali: Akuzohet për vrasje me dashje
Durina Alla, një shtëpiake dhe nënë e dy djemve të moshës 13 dhe 10 vjeç, vdiq në prill të vitit të kaluar, e goditur rëndë nga goditjet e shumta me çekiç të cilat i thyen kafkën. Burri, Gëzim Alla vazhdoi ta godiste edhe kur ajo ishte e shtrirë përtokë dhe nuk mund të mbrohej apo të reagonte ndaj dhunës së babait të fëmijëve të saj.
Pas krimit që ndodhi në shtëpinë në Pove del Grappa, Itali bashkëshorti i saj, Gëzim Alla, pranoi menjëherë fajin kur thirri karabinierët. Tashmë ai do të duhet të paraqitet në seancën paraprake. Zëvendësprokurorja Alessia La Placa, e cila javët e fundit kishte mbyllur hetimet paraprake, ka kërkuar tashmë gjykimin për muratorin.
Marrja në pyetje
Burri, ditët e fundit, ishte marrë në pyetje nga prokurori publik për të shpjeguar qëndrimin e tij, për të sqaruar sesi në kokën e tij i ishte fshirë një pjesë e kujtimeve të së dielës së 18 prillit 2021, ditë e cila tronditi jetën e familjes së tij duke filluar nga fëmijët e mitur, me të cilët nuk ka më kontakte.
“E di që po sistemoja një tavolinë në garazh”, shpjegoi muratori, i burgosur në Vicenza, i cili kujton sherrin që pati me gruan 39-vjeçare.
“Më tha se jam mbeturinë, plehrë dhe më pështyu, nuk mund të fokusohem nëse ishim në garazh apo në kuzhinë, sigurisht ajo që ndodhi më pas më është hequr, është fshirë nga mendja”, tha 51-vjeçari.
Avokatja e tij Chiara Bellini, kishte kërkuar një vlerësim psikiatrik, por ky hap nuk u lejua.
I akuzuar për vrasje me dashje
Gëzim Alla tashmë përballet me një akuzë të rëndë dhe akuzohet për vrasje me dashje sepse e ka goditur shumë herë gruan e tij me çekiç marangozi.
Prokuroria tregoi gjithashtu rrethanat rënduese të veprimit ndaj gruas së tij me mizori, për shkak se e kishte goditur në kokë “me dhunë dhe disa herë” edhe kur ajo ishte në tokë “e paaftë për të mbrojtur veten” dhe gjithashtu se e kreu krimin ndërsa fëmijët ishin në shtëpi dhe për këtë arsye mund të dëgjonin se çfarë po ndodhte.
Vrasja
Ditën e vrasjes në shtëpinë e Pove, dy djemtë, dëgjuan britmat e nënës së tyre (ulërimat u përgjuan edhe nga fqinjët), të frikësuar, ishin strehuar në dhomë me këshillën e një kushëriri, të cilit fëmija i madh i kishte telefonuar. Kur karabinierët mbërritën në shtëpinë ku familja jetonte prej katër vitesh, nuk kishte më asgjë për të bërë për gruan. Një krim i pranuar menjëherë nga kryefamiljari.
“E godita gruan, ndoshta ka vdekur”, kishte thënë ai kur kishte telefonuar karabinierët.