Ambasadori gjerman kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës: Ishte protagonist nazist
Ministria e Kulturës në Kosovë ka njoftuar se do të nisë restaurimin e shtëpisë së ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Xhafer Deva në Mitrovicë.
Kundër vendimit të ministrisë ka reaguar ambasadori gjerman në Prishtinë Jörn Rohde.
Diplomati përmes një postimi në rrjetin social Twitter e ka quajtur Xhafer Devën, një bashkëpunëtor të nazistëve.
"Jam shumë i shqetësuar për planet në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, që ishte një bashkëpunëtor e protagonist i njohur i nazistëve në divizionin famëkeq SS Skënderbeg. Nuk ka pastrim të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas."
Lidhur me restaurimin ka reaguar edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke e vlerësuar figurën e Xhafer Devës dhe se kundërshtarët e tij kanë prapavijë serbe.
"Xhafer Deva duhet të vlerësohet nga historianët, jo nga ata që nuk flasin kurrë për krimet e komunizmit ndaj shqiptarëve si masakra e Tivarit, vrasja e Shaban Polluzhës dhe spastrimi etnik në Kosovën pas vitit 1945. Deva sulmohet nga narrativa serbe, e cila nuk është e Kosovës."
Figura e Xhafer Devës i ka ndarë shqiptarët në të dyja anët e territorit. Disa e përkujtojnë si një atdhetar dhe patriot që donte të ribashkonte Kosovën me Shqipërinë e të tjerë si bashkëpunëtor të nazistëve, pasi ish-ministri ishte një antikomunist dhe u pozicionua pranë Ballit Kombëtar.
Shtëpia e Xhafer Devës është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë e punëtorë nga Austria.
Në projektin e saj Ministria e Kulturës e quan një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës.
Sipas vlerësimeve rikonstruksioni i shtëpisë, e cila u dogj në vitin 2015 përllogaritet të jetë afro 300 mijë euro.
