Vodhën pajisje me vlerë 5 mijë euro, arrestohen hajdutët në Elbasan, në pranga dhe pronari i pikës së skrapit që ua blinte

Policia e Elbasanit ka arrestuar dy persona për vjedhjen e disa pajisjeve me vlerë 5000 euro.

Në pranga ka rënë edhe pronari i një pike skrapi që bashkëpunonte me dy shtetasit e ndaluar, duke iu blerë pajisjet e vjedhura.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve D. K., 27 vjeç dhe D. M., 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 8 shkurt 2022, në lagjen “Çlirim”, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur pajisje të ndryshme, me vlerë 5000 euro, në firmën në pronësi të shtetasit K. B., banues në Elbasan.

Gjithashtu, në vijim të operacionit është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi P. Ç., 56 vjeç, pronar i një pike skrapi, pasi ka blerë pajisjet e vjedhura nga shtetasit e lartpërmendur.

Këta shtetas dyshohet se kanë kryer edhe disa vjedhje të tjera. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të tyre. 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Vjedhja", "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale" dhe "Fshehja e të ardhurave".