Gazetarja: Më kërcënuan që të mos publikoja investigimin për incineratorët
Gazetarja e BIRN, Aleksandra Bogdani, ka bërë një denoncim duke thënë se është kërcënuar që të mos publikonte investigim në lidhje me aferën e incineratorëve.
Denoncimin e ka bërë në Komisionin Hetimor për incineratorët duke thënë se është kërcënuar për aksidentin ku u përfshinë ministri Arben Ahmetaj dhe biznesmeni Mirel Mërtiri në Maqedoni.
Aleksandra Bogdani thotë se ka pasur ndërhyrje që të mos publikohej investigimi i saj në BIRN për aferën e inceneratorëve.
"Presioni dhe intimidimi, ka pasur goxha interesa që shkrimi të mos dilte, njëfarë presioni nga palët, që ne i kemi kontaktuar. Ka pasur një padi për BIRN, pasi shkrimi u botua, por kjo është puna jonë, që të hulumtojmë. Nuk ka qenë e thjeshtë për të siguruar këto dokumente, që duhet të ishin publike. Ka qenë një punë e gjatë dhe janë përdorur, të gjitha ato atribute që na jep ligji për t’i aksesuar.
Kemi pasur vendimin e gjykatës së Kumanovës, shtator 2017, pasi ka ndodhur aksidenti në Kumanovë. Aksidenti ka qenë publik, ka pasur raportime në media, emri i Mirel Mërtirit nuk është i anonimizuar në atë vendim dhe kryqëzimi i fakteve me vendimin e gjykatës me faktet që kishin dalë më parë, sigurisht që të çojnë në këto emra", tha ajo.
Aleksandra Bogdani: Kemi pasur vendimin e gjykatës së Kumanovës, shtator 2017, pasi ka ndodhur aksidenti në Kumanovë. Aksidenti ka qenë publik, ka pasur raportime në media, emri i Mirel Mërtirit nuk është i anonimizuar në atë vendim dhe kryqëzimi i fakteve me vendimin e gjykatës me faktet që kishin dalë më parë, sigurisht që të çojnë në këto emra.
Jorida Tabaku: Ahmetaj e ka pranuar që ka qenë pjesë e këtij aksidenti.
Arben Pëllumbi: Keni pasur presione?
Aleksandra Bogdani: Presioni dhe intimidimi, ka pasur goxha interesa që shkrimi të mos dilte, njëfarë presioni nga palët, që ne i kemi kontaktuar. Ka pasur një padi për BIRN, pasi shkrimi u botua, por kjo është puna jonë, që të hulumtojmë. Nuk ka qenë e thjeshtë për të siguruar këto dokumente, që duhet të ishin publike. Ka qenë një punë e gjatë dhe janë përdorur, të gjitha ato atribute që na jep ligji për t’i aksesuar.
Arben Pëllumbi: A keni pasur ju apo rrjeti juaj presione të drejtpërdrejta për të mos publikuar faktet?
Aleksandra Bogdani: Në momentin që u kemi dërguar pyetje dhe tentuar të intervistojmë edhe palën tjetër, na është thënë do të paditeni, dhe e dinim, ne bënim pyetje për personazhe të përfshira, për të pasur fjalën e tyre, vetëm përse ne po i pyesnim, na është thënë “do të paditeni”. Po, kur të kërcënojnë me padi përpara se shkrimi të dalë është një mënyrë për të intimiduar dhe censurë paraprake.
Arben Pëllumbi: Pra presioni është fakti që dikush në krahun tjetër që mund të ndihet i cenuar, ka të drejtën t’ju çojë në gjyq?
Aleksandra Bogdani: Kjo ka ndodhur përpara se të bëhej padia. Përpara se shkrimi të botohej.
Arben Pëllumbi: Pra ju mendoni se kur dikush kërkon zbatimin e ligjit, është presion?
Aleksandra Bogdani: Unë mendoj se iu përgjigja pyetjes. Pati përpjekje për të censuruar përpara se shkrimi të botohej.
Arben Pëllumbi: Meqenëse se në këtë komision është aluduar që gazetarë të ndryshëm janë intimiduar, në dijeninë tuaj, a jeni në dijeni nëse ka ndonjë kolegun tuaj që është kërcënuar?
Aleksandra Bogdani: Nuk jam në dijeni.
Aksidenti ka ndodhur në 16 korrik 2017 në Maqedoninë e Veriut, ku në automjetin e përfshirë udhëtonin Arben Ahmetaj, në atë kohë ministër i Financave, dhe Mirel Mërtiri, një prej personave për të cilin janë ngritur akuza publike lidhur me aferën e inceneratorëve.

