Hetimet për incineratorët, Rama: Nuk jam i shqetësuar, përgjegjësia individuale!

Kryeministri Rama e ka kaluar dhe një herë topin te përgjegjësia individuale  në një kohë kur dy ministra të qeverisë së tij ndodhen në burg të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Në një intervistë për Zërin e Amerikës Rama tha se nuk është i shqetësuar për të vërtetën pasi Reforma në drejtësi për këtë është bërë. Më tej ai shtoi se nuk është i shqetësuar nëse dalin emra ministrash apo zyrtarësh të tjerë gjatë hetimit të aferës së incineratorëve.

VOA: Në Shqipëri po kryhen dy hetime paralele, një nga Komisioni Hetimor për incineratorët dhe një tjetër nga SPAK. Përse në Shqipëri disa veprime që dyshohen se janë bërë në shkelje me ligjet për dhënien e këtyre kontratave nuk parandalohen? Si shpjegohet që në asnjë hallë nuk është vënë re asnjë lloj shkelje?

Rama: Unë nuk hyj te ata që e mendojnë këtë, kështu që nuk kam si të përgjigjem për këtë. Janë dy gjëra të ndara njëra me tjetrën. Një proces që është kurorëzuar me vepra që janë në shërbim ët vendit dhe paralelisht me të veprime të dyshuara individësh të caktuar dhe përgjegjësia është individuale. Për të tjerat besoj që jemi në kushtet shumë komode kur Prokuroria Speciale po heton dhe i takon asaj të evidentojë faktet bazuar në prova, jo në llafe. Nuk shoh asnjë lloj shqetësimi për të vërtetën.

VOA: A jeni i shqetësuar se mund të dalin ministra apo ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë në këtë aferë?

Rama: Unë nuk jam i shqetësua se mund të dalin ministra apo ish-ministra apo kushdo qoftë sepse për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi. Kur unë e kam thënë që reforma bëhet për një drejtësi të drejtë, as të majtë, as të djathtë dhe nga ana tjetër përgjegjësia për rolin e çfarëdo qoftë është individuale. Nëse ka njerëz që kanë ngjyer gishtin apo dorën në një proces që është bërë për t’i shërbyer vendit sigurisht që ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar sepse e kanë bërë këtë pas shpinës  së një forcave qeverisëse që është këtu për shqiptarët dhe nuk është për xhepat e vet.