Spahia: Basha në Shkodër është bërë patericë e Ramës, shkodranët e dinë se ne jemi shumicë
Në “Ora e Betit” në RTV Ora, nga Beti Njuma, kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” për bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia u shpreh se në këtë qytet ka një entuziazëm të jashtëzakonshëm për ndryshim.
Ai tha se PD-ja e Bashës e dinë se janë në minorancë në Shkodër, prandaj kanë zgjedhur të bëhen një patericë e Edi Ramës.
Spahia: Shkodranët kanë një entuziazëm të jashtëzakonshëm për të startuar nga Shkodra një ndryshim rrënjësor dhe për ta shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Ne kemi si kundërshtar të vërtetë PS-në dhe përfaqësuesit e Edi Ramës. Tanimë ka një situatë për herë të parë, ku rivalit tonë historik i është bashkuar një rrymë e PD-së që përfaqëson mbajtësit e vulës dhe selisë së PD-së.
Ata e dinë se janë në minorancë në Shkodër, prandaj kanë zgjedhur të bëhen një patericë e Edi Ramës. Jam i sigurt që shkodranët e kanë të qartë se cila është opozita e vërtetë. Unë si përfaqësues i “Shtëpisë së Lirisë” ka dalë nga një proces primares. Ka një ringjallje të opozitarizmit në Shkodër çka më bën që të jem optimist për këtë garë.

