Raportet negative të korrupsionit për Shqipërinë, Rama: Nuk i referohem llafeve, por fakteve
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas takimit me sekretarin e DASH Antony Blinken, kryeministri Rama u pyet për disa nga çështjet më të nxehta të vendit dhe rajonit.
Një nga pyetje kishte të bënte dhe me raporte negative për sa i përket korrupsionit në vendin tonë.
VOA: Ju keni 9 vite në qeveri dhe jeni zotuar se do luftoni korrupsionin, por korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në të gjitha nivelet e qeverisjes. Përse administrata juaj nuk ka qenë e suksesshme në luftën ndaj këtij fenomeni?
Rama: Prania e korrupsionit në sistem është e padiskutueshme, e pavënshme në pikëpyetje por lufta kundër korrupsionit që ne kemi organizuar është një luftë e cila e ka takuar korrupsionin në mënyrë ne duhur. Nga njëra anë ne jemi angazhuar për të udhëhequr reformën në drejtësi, nga ana tjetër jemi angazhuar të transformojmë gjithë sistemin e shërbimeve. Lufta kundër korrupsionit është modernizim, është shtet ndërtim, është krijim sistemesh të cilat garantojnë shërbimin në kohën e duhur, të gjitha proceset e zbatimit të vendimmarrjeve në kohën e duhur dhe eleminojnë korrupsionin si alternativë. Është një luftë që kërkon kohën e vet.
VOA: Shqipëria ka bërë pak përparim. Përse është kaq e vështirë në Shqipëri?
Rama: Kjo është çështje metodologjish dhe për hir të së vërtetës unë kam mësuar bashkë me eksperiencën mos i marr të mirëqena deri në fund këto lloj indeksesh që publikohen. Korrupsioni është një problem dhe sfidë sepse ne nuk kemi ende një shtet modern me të gjithë elementët. Unë nuk i marr të mirëqena këto raporte 100%. Ne i referohemi fakteve konkrete dhe jo llafeve të bazuara në metodologji që janë të dala kohë.
