Rama tregon për VOA se çfarë diskutoi me sekretarin Blinken

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në SHBA. Pasditen e sotme, ai u takua me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken.

Kryeministri në një intervistë për Zërin e Amerikës tregoi se çfarë u diskutua gjatë takimit me sekretarin Blinken.

Rama: Diskutuam  lidhur me bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, marrëdhëniet bilaterale, padiskutim lidhur me rajonin, me ecurinë e reformave në Shqipëri dhe në tërësi prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme në këtë marrëdhënie.

VOA: SHBA dhe Shqipëria ranë dakord të bashkëpunojnë në Këshillin e sigurimit. Për çfarë bashkëpunimi bëhet fjalë dhe çfarë roli do të luajë Shqipëria në Këshillin e sigurimit?

Rama: Ky është një proces i njohur në traditën e Këshillit të Sigurimit ku dy vende bëhen bashkë për të adresuar 1 apo disa dosje të caktuara. SHBA na e propozuan ne këtë bashkim, ne e pranuam me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi dhe kjo na jep përgjegjësinë që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë.

Tensionet Rusi-Ukrainë 

VOA: A do të dalë Shqipëria me rezolutë për Ukrainën?

Rama: Kjo nuk është një çështje e Shqipërisë, është tashmë një çështje e gjithë botës. Patjetër që në këtë proces ne do të jemi krah për krah me SHBA. Vendimmarrja i takon SHBA.

VOA: A ka qytetarë Shqiptarë në Ukrainë dhe a janë larguar.

Rama: Ministria  për Evropën dhe punët e Jashtme ka marrë të gjitha masat e nevojshme. Ne kemi disa qytetarë shqiptarë që janë pjesë e misionit të monitorimit të OSBE që do të vazhdojë të qëndrojnë atje.