Rritet interesi për vaksinën anticovid, mjekët: Janë shtuar injektimet te grupmoshat e reja

Ritmet e vaksinimit u ulën ndjeshëm gjatë janarit kur Shqipëria kaloi valën e radhës së covid-19.

Mjekët thonë se ditët e fundit është rikthyer interesi i qytetarëve për të marrë injeksionin kundër covid-19.

Në Qendrën Shëndetësore numër 10 në kryeqytet çdo ditë vaksinohen mesatarisht 150 persona.

"Janë ulur shumë ndjeshëm  shenjat e virozës dhe numri i të infektuarve dhe shohim një rritje shumë të lartë të pacientëve që janë të interesuar për të kryer dozën e parë, dozën e dytë dhe të tretë."

Aktualisht po përdoret vaksina e kompanisë Pfizer.

Të rinjtë edhe pse dyshues në fillim kanë nisur të vaksinohen.

Mjekja Jonida Diko tregon se interes ka pasur edhe në grupmoshën 12-16 vjeç.

"Kemi një rritje të kërkesës të moshës 16+ dhe 18+ që janë interesuar për të kryer vaksinën për herë të parë. Grupmosha 16+  vjen e shoqëruar bashkë me prindërit dhe dëshirën për ta kryer këtë vaksinë."  

Pavarësisht se infektimet kanë rënë dhe “ Omicron” shkakton simptoma të lehta mjekët bëjnë thirrje për vaksinim.

"Shohim që më me vështirësi po e kalojnë pacientët e pavaksinuar. Me simptoma më të shprehura po e kalojnë më vështirë sëmundjen."

Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore rreth 41% e popullsisë është vaksinuar me të dyja dozat ndërsa dozën përforcuese e kanë marrë vetëm 7.8% e popullsisë.