45 në pranga, roli i shqiptarëve në trafikun e kokainës dhe aplikacioni që i nxori zbuluar
45 persona u arrestuan gjatë një operacioni të EUROPOLIT në bashkëpunim me policinë belge dhe spanjolle kundër një rrjeti të trafikut të kokainës në gjithë europën. Europoli tha në një deklaratë se ka goditur një grup shqipfolës që e transportonte kokainën nga Amerika Latine me anije e madje edhe me avionë. Të arrestuarve u janë sekuestruar pajisje elektronike që përdoren si portofolë kriptomonedhash të cilat dyshohet se janë përdorur për pagesat e aktivitetit kriminal.
Organizata e policisë europiane ka bërë publike rezultatet e operacionit antidrogë që u finalizua me arrestimin e 45 personave shqipfolës pas hetimeve në Spanjë dhe Belgjikë.
Të dyshuarit importonin kokainë nga Amerika Latine në portet e Anversës, Roterdamit, Le Havre dhe Hamburgut për ta shpërndarë më pas në tregun europian.
Kokaina transportohej nëpërmjet aeroplanëve, anijeve, makinave dhe kamionëve ndërsa fitimet dyshohet se janë pastruar në Spanjë.
Mbi 600 oficerë kryen bastisje kundër anëtarëve të këtij rrjeti në Spanjë dhe Belgjikë ndërkohë që veprime hetimore u kryen gjithashtu në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.
Roli i shqiptarëve ishte tërheqja e kokainës nga kontejnerët në porte dhe më pas shpërndarja e saj në destinacionet fundore. Hetimet për këtë çështje nisën në Spanjë në vitin 2018, pas arrestimit të një anëtari të lartë të grupit të krimit të organizuar, i cili aktualisht është në paraburgim.
Në Belgjikë, hetimet filluan në shtator 2020 pas kapjes në një garazh të sasive të mëdha të kimikateve, të përdorura për të transformuar dhe ruajtur kokainën për qëllime tregtie.
Europoli thotë se sasi të mëdha kokaine të kapura gjatë kontrolleve anembanë Evropës gjatë viteve të fundit janë trafikuar nga ky rrjet kriminal.
Grupi kishte ngritur një sërë sipërmarrjesh në vende të ndryshme për të pastruar fitimet, duke përfshirë Kroacinë dhe Spanjën. Anëtarët e rrjetit të drogës udhëtonin rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të mbajtur kontakte me furnitorët ndërkohë që kanë përdorur mjete komunikimi të koduara për shmangur përgjimet.
Hetuesit gjetën prova për këtë rrjet edhe nga mesazhet e zbardhura gjatë operacionit të koduar me emrin Sky në mars 2021.
Komunikimet e koduara të rrjetit SKY ECC të realizuara në telefona Blackberry kanë zbardhur kontaktet me furnitorë te drogës në Brazil, Ekuador, Kolumbi, Peru, Bolivi dhe Paraguaj. Personave të arrestuar mësohet se u janë gjetur edhe pajisje elektronike që shërbejnë si portofol kriptomonedhash të cilat duket se i kanë përdorur për kryerjen e pagesave për aktivitetin kriminal me qëllim shmangien e kanaleve bankare.
