Duma prezanton platformën "Aleanca me qytetarin": Komuniteti lokal do përfshihet në vendimmarrje

Deputetja, njëkohësisht nënkryetarja e PD-së Grida Duma e pranishme në tryezën për reformën territoriale e cilësoi këtë proces të rëndësishëm. Ajo prezantoi dhe platformën e re të PD-së, "aleanca me qytetarin." Zonja Duma tha se nëpërmjet kësaj platforme do t'i jepet mundësi qytetarit që të marrë pjesë në vendimmarrje.

Duma: PD një nga risitë e saj tani ka platformën "Aleanca me qytetarin". Një nga defektet e mëdha që kemi ne që nga modeli deri te aplikimi është çështja e kohezionit social. Shqipëria sidomos vuan fort atë që është besimi i qytetarëve te vendimmarrja ose pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje. Platforma "Aleanca me qytetarin" një nga pikat kryesore ka vendosjen e një minimumi të përfshirjes së shoqërisë civile dhe komuniteteve në politikë për  sa i përket marrjes së vendimeve.

Platforma që ne do vijojmë ka të bëjë se si do arrijmë që komunitetet lokale t'i përfshijmë në  vendimmarrjen për investimet e vogla të administrimit të jetës. Jeta sociale është ndërveprim social do të thotë aftësia e komunitetit për të ndërtuar një jetë të gjallë gjë që komunitetet shqiptare sot nuk e njohin fare. Një nga gjërat që do t'i japim le të themi vlerë të shtuar është kjo platformë të cilën do ta kthejmë në sistemike.